Në një bashkëbisedim me gazetarët ditën e sotme, kreu i Komisionit Qëndror të Zgjedhor, Ilirjan Celibashi, tha se klasa politike në Shqipëri duhet të vendosë sa më shpejt nëse do të zgjerojë apo jo implementimin e votimit elektronik në vend, pasii një model i tillë për leximin e vullnetit të qytetarëve kërkon shumë kohë për t’u ngritur.

“Do duhet që politika shqiptare të vendosë shpejt në lidhje me këtë çështje. Nëse do të diskutohet për të zgjeruar votimin elektronik, ky votim të merret sa më shpejt, se nëse zgjerimi i tij do të përfshijë të gjithë njësitë e qeverisjes së vendit, kohë që nuk duhet për ta arritur këtë proces, nuk mund të jetë 1, 2, 3, 4 muaj. Numërimi ngelet çështje që duhet të rikonsiderohet. Do të vazhdojmë kështu si kemi këtë proces, do të vazhdojmë të numërojmë në mënyrë të përqëndruar, apo numërimi në qendrat e votimit. Personalisht mendoj që ka ardhur koha t’i rikthehemi numërimit në qendrat e votimit, por duhet të marrim parasysh disa elememte logjistike, organizative dhe infrastrukturore për këtë model. Kështu si është organizuar ky proces, është jo profesional. Zgjedhjet e fundit treguan që ka probleme që lidhen me transparencën, saktësinë. Do duhet të konsiderojmë rregullat që kanë të bëjnë me ankimimet zgjedhore. Personalisht mendoj që në instancë gjyqësore do duhet të mos jetë më Kolegji Zgjedhor që shqyrton ankimimet zgjedhore, mund të jetë një gjykatë administrative e zakonshme, apo Gjykata e Lartë. Ka nevojë për t’u parë edhe organizimi dhe funksionimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Nëse do të vazhdojë kështu, do duhet të konsiderohen kompetencat e 3 trupave të KQZ. Përsa i përket votimit nga jashtë ka nevojë të rishikohen rregullat që kanë të bëjnë me mënyrën e votimit, do të vazhdohet të votojmë nëpërmjet postës, internetit, përfaqësive diplomatike, etj, por duhet të diskutohet edhe për këtë”,- tha Celibashi.