“Fatos Nano në gjyq deklaron”, është titulli “bombë” i gazetës “Koha Jonë”, e enjte, 31 mars 1994. Në faqen 2-3 të këtij numri të gazetës publikohet e plotë fjala e Ish-Kryeministrit dhe Ish-Kreut të PSSH, Fatos Nano, mbajtur në sallën e gjyqit kundër tij.
Historia e figurës së Fatos Nanos nuk fillon dhe nuk përfundon në këtë sallë gjyqi, përkundrazi, ky prag është pedana ngaku ai do të katapultohej për t’u bërë një prej figurave më të rëndësishme politike shqiptare, dhe për të mbetur në historinë e socialistëve një emblemë.
Të kthehemi pas për të kuptuar vijimin e këtij procesi, që me vendim të 3 Prillit 1994 dënoi Fatos Nanon me 12 vjet burg.
Kur Ramiz Alia e thirri për të zëvendësuar Adil Çarçanin, Kryeministrin e fundit komunist, Nano me kurajo të madhe pranoi të jetë Kryeministri që do të çojë vendin në zgjedhjet e para pluraliste të vitit 1991. Ato zgjedhje, që i fituan komunistët, i siguruan Kryeministrit të ri Karrigen e lartë të Kryetarit të Partisë Socialiste. Ramiz Alia u bind që kishte bërë zgjedhjen e duhur nga ajo periudhë qeverisjeje 100 ditore.
Pushteti i fituar në zgjedhjet e vitit 1991 nuk zgjat shumë dhe revanshi i kundërshatrëve politikë çoi në fitoren e zgjedhjet e 22 Marsit 1992 nga demokratët.
Nano u akuzua se gjatë atyre 100 ditëve të qeverisjes së tij, me fondin e ndihmave të Qeverisë italiane, kishte shkelur procedurën e blerjes së mallrave, duke diktuar firmën ku do të bliheshin këto mallra. Sipas akuzës, firma “Levante Company”, një kompani italo-jugosllave ishte sjellë në Shqipëri nga Ajdin Sejdia, përfaqësues i Iliria Holding dhe i akuzuar nga demokratët për favore nga Nano dhe Farudin Hoxha.
Perceptimi publik i kohës është se po pregatitej arrestimi politik i kundërshtarit. Fatos Nano do të arrestohej në zyrën e prokurorit Fatos Dervishi më 30 Korrik 1993.
Siç ndodh në politikë, burgosja e Nanos e kthen atë në një hero te mbështetësit dhe është një moment kthese e fortë në kurbën politike të Partisë Socialiste. Asokohe bënë bujë batutat e tij me Prokurorin e çështjes kur i thoshte: “Do të takohemi shpejt kur të jem Kryeministër” dhe vërtetë ai u kthye si i tillë.
Fatos Nano e lë qelinë e burgut të Tiranës në ngjarjet që çuan në rënien e shtetit, shkatërrimin e ushtrisë dhe pragun e një lufte civile të Marsit 1997, pas një amnistie politike që pushteti i Berishës bëri pas presionit opozitar dhe ndërkombëtar.
Ai u rikthye triumfator dhe lider i padiskutueshëm i vendit në zgjedhjet e 1997-ës. Me gjithë fitoren e thellë politike, Nano tregoi një zemërgjerësi të paparë në ndarjen e pushtetit me aleatë të parëndësishëm politikë.
Jetonte me delire të tilla si: “ I vetmuar si në burg nga lartësitë morale dhe intelektuale prej ku e qeveris Shqipërinë, i rrethuar nga pleshta e parazitë që meritojnë tua mbyll çadrën e t’i lë në shi” do të shkruante Edi Rama, te “Kurban”, fq 137.
Albert Vataj