Vendosmëri, guxim, kuriozitet, zgjedhje për sfidat dhe pasion për punën. Ky është portreti i Carlo Bollinos – leçez, 64 vjeç, gazetar prej 40 vitesh – që do të marrë Çmimin prestigjioz për Karrierën në kuadër të Edicionit XIV të Çmimit Kombëtar të Gazetarisë, që do të zhvillohet të shtunën më 6 shtator në Alezio.

Karriera e tij është e vështirë të përmblidhet në një artikull: ka qenë reporter, korrespondent, shkrimtar, drejtor, botues dhe ideator i projekteve historiko-kulturore. Të shumta interesat, gazetat dhe mediat ku ka punuar apo ka themeluar, dhe kontekste gjeopolitike – pothuajse gjithmonë të luftës – ku është angazhuar. Sfidën më të madhe e përjetoi në Shqipëri, ku mbërriti në vitin 1992 dhe vendosi të qëndrojë, duke ndërtuar ndër vite, jo pa vështirësi, një trashëgimi të pasur informacioni të pavarur, ende sot të lulëzuar, si dhe duke i“dhuruar” vendit të shqiponjave dy muze historikë për vitet e diktaturës komuniste. Në vitin 1994, në Tiranë, njohu Albën, e cila më vonë u bë gruaja e tij. Në vitin 2007 lindi Carlotta dhe në vitin 2016 mori shtetësinë shqiptare.

Gazetar profesionist që në moshën 24-vjeçare, iu afruat botës së informacionit që 13-14 vjeç. I paracaktuar, vizionar apo diçka tjetër?

Mund të duket çudi, por si i ri kurioz fillova të frekuentoja radio dhe televizione private, që po lindnin në atë kohë në Leçe, sepse më tërhiqnin teknologjitë moderne elektronike. Më pëlqente të bëja teknikun e zërit dhe ëndrra ime ishte të punoja në një shtëpi diskografike. Por në një moment u hapën për mua dyert e informacionit. Më dërguan në spitale në kërkim të lajmeve, dhe në vitin 1980 për radion me drejtor Alcino Siculella, ndoqa tërmetin në Bazilikatë. Gazetaria ndërkohë u bë pasion. Pastaj te e përditshmja ‘Quotidiano’, sapo e themeluar, dhe aty takova pikërisht Antonio Maglion – emocionuese për mua që sot marr një çmim me emrin e tij – një udhërrëfyes autoritar dhe i aftë të vlerësonte të rinjtë. Fillimisht u mora me kronikë dhe sporte të vogla, më pas erdhi rasti i rendesishem. Ishte viti 1980, në Galatina u vra një grua dhe ishte Antonio që më dërgoi në vendngjarje. “Sot është radha jote, kurajo!”, më tha. E ndoqa me korrektesi atë lajm tragjik edhe sepse arrita të fotografoj vrasësin. Ishte një foto ekskluzive dhe ngjarja nuk kaloi pa u vënë re. Në atë moment, gazetaria u bë zgjedhje profesionale dhe jete».

Dhe më pas?

«Vazhdova me ‘Quotidiano’, e më pas kalova te ‘La Gazzetta del Mezzogiorno’, ku punoj kryesisht me kronikë të zezë, me hetime mbi vrasjen e Renata Fonte (politikane), Sacra Corona Unita-s dhe të tjera. Në vitin 1991, si kryeredaktor qendror, nisa të merrem me politikë të jashtme, duke ndjekur konfliktet në ish-Jugosllavi, në Irak dhe rënien e komunizmit në disa vende të Europës Lindore. Këto përvoja hapën rrugë të reja profesionale».

Tirana ishte fare pranë?

«Po. Gjithçka nisi nga projekti i ‘Gazzetta del Mezzogiorno’-s për të ringjallur, pas rënies së komunizmit, gazetën ‘Gazeta Shqiptare’, e cila kishte qenë e pranishme në Shqipëri nga viti 1927 deri në ’39. Më flasin për këtë, mbetem i mahnitur dhe ideja për të punuar jashtë më ngjall kureshtje, ashtu si edhe mundësia për të ndërtuar diçka të re, një sistem informativ në një vend që nuk njihte lirinë e shtypit, përveçse si instrument propagande. Në verën e vitit 1992 isha në Tiranë për kontaktet e para. Disa muaj më vonë nisën botimet dhe shitjet e ‘Gazetës’-s, që u bë më pas lider i një grupi të fuqishëm mediatik me ‘Radio Rash’, portalin e lajmeve ‘Balkanweb’ dhe televizionin ‘News 24’. Në Shqipëri solla grafikën, kronikën e zezë, sportin, spektaklet dhe atë shije lirie që e bënte informacionin të besueshëm. Kjo gjë bezdiste qeverinë e Sali Berishës, që u përpoq të më ndalonte në çdo mënyrë. Por, edhe pse mes vështirësish e rrezikesh, vazhdova».

Si vazhduat?

«U emërova korrespondent për Ballkanin i agjencisë Ansa, u riktheva si i dërguar lufte në Somali, ish-Jugosllavi, Kosovë, Maqedoni, Irak, Izrael, Afganistan e Liban. Në vitin 2007 mora drejtimin e Zyrës së Ansa-s në Lindjen e Mesme, në 2008 u ktheva në Bari si drejtor i ‘Gazzetta del Mezzogiorno’-s. Në 2014, në një klimë politike të ndryshuar, u ktheva në Tiranë ku themelova një grup të ri mediatik (ku sot punojnë 170 persona) me televizionin ‘Report Tv’ dhe portalin e të përditshmen ‘Shqiptarja.com’. Ky është ende sot terreni im i punës».

Por jo vetëm kaq. Janë dhe dy muzetë historikë të ideuar prej jush, të cilët sot janë pika referimi për shqiptarët dhe vende turistike?

«Gjithçka nisi nga një punë gazetareske që solli në dritë vitet e errëta të komunizmit, duke ngjallur interes tek qytetarët (dyfaqeshi per te persekutuarit te Gazeta Shqiptare). Ideja për një muze kujtese erdhi natyrshëm. Kështu në nëntor 2014, pas një marrëveshjeje me qeverinë e Edi Ramës, lindi Bunk’Art 1: u hap për publikun një bunker antiatomik (105 dhoma dhe një sallë parlamenti) në periferi të Tiranës, i ndërtuar në vitet ’70 nën një mal. Fillimisht duhej të ishte eksperiencë e përkohshme, por në ditët e para pati 70 mijë vizitorë – një bum. Bunk’Art 1 u kthye në muze të përhershëm, duke hapur rrugë për Bunk’Art 2, në qendër të Tiranës, nën Ministrinë e Brendshme, ku vepronte Sigurimi. Ishte një vend dhune dhe torture ndaj të burgosurve politikë. Sot, gjurmët e atyre mizorive janë të dukshme për të gjithë».

Shqipëria dhe Pulia, afër apo larg?

«Jo larg, por sigurisht jo më afër si para 20 vitesh. Marrëdhënia e privilegjuar mes Shqipërisë dhe Pulias nuk ekziston më; të rinjtë shqiptarë nuk e njohin e nuk e flasin italishten si prindërit e tyre, por gjithësesi mbetet një lidhje që shkon përtej gjeografisë. Shqipëria sot është një realitet në zhvillim që synon Evropën. Tirana po bëhet gjithnjë e më shumë një qytet perëndimor dhe kryeministri Rama po i jep kryeqytetit një identitet të ri urbanistik me kulla të firmosura nga arkitektë të njohur botërorë dhe me projekte të thella rikonceptimi. Mendoj se Shqipëria dhe Pulia duhet të vazhdojnë të dialogojnë në interes të përbashkët».

Informacioni ka ndryshuar shumë. Ç’mendon një profesionist që vepron në këtë mjedis prej mbi 40 vitesh?

«Modeli i vjetër organizativ ka rënë, por gazetaria, përveçse punë, është një mision që duhet të përkthehet në shërbim ndaj shoqërisë për të afirmuar parimet e demokracisë dhe lirisë. Përballë krizës së informacionit profesional, të rrethuar nga rrjetet sociale, gazetarët duhet të kapërcejnë konservatorizmin e kategorisë, që ka penguar lidhjen në kohë me teknologjitë e reja dhe revolucionin dixhital. Edhe botuesit nuk kanë qenë më të mirë, sepse – si në Itali, ndryshe nga SHBA – japin falas lajmet online, duke varfëruar sistemin mediatik. Kështu, si qeni që kafshon bishtin, industria përpiqet të kufizojë dëmet duke ulur pagesat e gazetarëve, por kështu puna bëhet pak tërheqëse për profesionistët më të mirë. Dëmi është i dukshëm, ndërsa jemi ende larg nga gjetja e zgjidhjeve që mund të kapërcejnë vështirësitë në të cilat është ngërthyer gazetaria e cilësisë në këtë fazë historike»./ Marrë nga “Quotidiano di Puglie”