Nga Adrian Thano

Pse na nevojitet ne shqiptarëve kujtimi i gruas trupvogël me emër të madh, simbol i shërbimit që nuk kërkon shpërblim? Si krenari kombëtare?

Më shumë si busull shpirtërore.

Tereza nuk ndërtoi godina të larta, nuk kishte zyra me xhama masivë, nuk kishte marka për të demonstruar. Ndërtoi një formë të rrallë pasurie që nuk matet me metra katrorë, por me jetë që u prekën, u ngushëlluan, u shpëtuan. Ndërtoi dinjitet për ata që nuk e kishin.

Dhe dashuria më e madhe shpesh jepet në mënyrën më të thjeshtë. Në një gjest. Në një fjalë. Në një përkulje.

Në Ditën e saj të Shenjtërimit, kjo grua na fton të ndalemi. Të dëgjojmë në heshtje ata që nuk dëgjohen. Të kthejmë vështrimin nga ata që nuk kanë as mikrofon, as pasues, as pasuri.

Ne jetojmë në një botë që flet shumë dhe dëgjon pak. Një botë që e mat vlerën me ndjekës në rrjete, ku shfaqja dhe shou kanë zëvendësuar përmbajtjen, ku ndjeshmëria është kthyer në dobësi. Në këtë botë me më shumë fjalë se vepra, kujtimi i saj është një thirrje e heshtur për të rikthyer masën e gjërave.

Gruaja me vështrim kaq të veçantë na mëson se jeta nuk është garë për pasuri. Se ka më shumë vlerë një dorë e ngrohtë në një dhimbje të heshtur sesa një kamje e madhe në vetmi. Se njeriu nuk madhështohet nga luksi, por nga zemra.

Dhe në fund, kur gjithçka tjetër bie, kur dritat fiken dhe mbeten duart bosh, vlen vetëm dashuria që ke ditur të japësh.

Dhe kjo nuk blihet. Kjo është zgjedhje.

Në një kohë kur suksesi matet me vilat që ke dhe orët që vesh, kur njeriu vlen sipas çmimit të telefonit në xhep apo të makinës në garazh, Tereza na rikujton një thjeshtësi që të trondit: Nuk është ajo që kemi që na përkufizon, por ajo që japim.

Në kohën që glorifikojnë pushtetin, famën dhe pasurinë, Tereza na kujton një të vërtetë që po harrohet: nuk është më i madh ai që ka më shumë, por ai që jep më shumë.

Kjo është trashëgimia e saj më e madhe.

DITA