Këto janë pamjet kur autori Ragip Gila 29 vjeç largohet me makinën tip BMW, që ia vodhi një qytetari nën kërcënimin e armës, pasi kishte kryer masakrën me 2 të vrarë dhe 2 të plagosur në Shkodër.

Në këtë video duket qartë makina tip BMW ngjyrë gri (në rreth të kuq), e cila drejtohet nga Ragip Gila, dhe qarkullon në mes të Shkodrës në tentativë për t’u arratisur pas krimit të rëndë.

29-vjeçari u largua me makinën BMW deri në lagjen Skënderbeg. Për shkak të ndjekjes nga policia, bëri aksident duke u përplasur me disa mjete.

BMW-në e braktisi dhe u largua në këmbë duke tentuar të kalonte lumin Kir. Por aty u kap nga forcat Shqiponja.

Ragip Gila vrau 2 persona dhe plagosi 2 të tjerë mëngjesin e kësaj të hëne (8 shtator) në një lokal pranë bashkisë së qytetit. Ai ishte i armatosur me dy armë dhe antiplumb.

29-vjeçari mbërriti para lokalit me një motor. Hyri brenda lokalit dhe hapi zjarr duke shkaktuar masakrën. Më pas doli nga dera e dytë e lokalit dhe eci në këmbë për disa metra, pasi motorin e kishte braktisur.

Nga kjo masakër me armë mbetën të vrarë Armando Pali dhe Liridon Kraja (Lushi). Ndërsa u plagosën Erogen Brajoviç alias Erogen Vaso, dhe kamerierja 25-vjeçare e lokalit ku ndodhi masakra.

Dinamika, viktimat dhe të plagosurit:

Armando Pali dhe Erogen Brajoviç ishin duke pirë kafe në një lokal pranë Bashkisë së Shkodrës, kur autori qëlloi me breshëri plumbash në drejtim të tyre. Burime nga grupi hetimor bëjnë se shënjestër e atentatit dyshohet se ka qenë Erogen Brajoviç.

Nga atentati mbeti i vrarë Armando Pali dhe Liridon Kraja (Lushi) 31 vjeç, truproja i Erogen Brajoviç. 31-vjeçari ndërroi jetë në spital. Truproja e Erogen Brajoviç, ndërroi jetë në spital pas plagëve të marra nga breshëria e plumbave.

Kurse të plagosur mbetën shënjestra e dyshuar, Erogen Brajoviç dhe kamarierja 25-vjeçare e lokalit, Meri Kaceri. Erogen Brajoviç, i cili mori tre plumba, ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë.

Skeda e autorit Ragip Gila:

Ragip Gila nuk është emër i panjohur për policinë. Ai ishte arrestuar në fund të dhjetorit 2023 me një arsenal armësh në Shkodër, si dhe ju gjet një sasi droge.

Ai u dënua nga Gjykata e Shkodrës me 5 vite burgim për prodhim dhe shitje narkotikësh, në aplikim të gjykimit të shkurtuar dënimi iu ul në 3.4 vite burg. Ai nuk është dënuar për armëmbajtjen pa leje dhe nuk dihet se çfarë ka ndodhur me këtë proces gjyqësor.

Report Tv ka siguruar edhe vendimin e lirimit nga qelia të Ragip Gilës, më 4 mars 2025. Gila qëndroi në qeli më shumë se 1 vit, deri në sa në 4 mars të këtij viti, Ragip Gila u lirua përfundimisht. Në zbatim të nenit 59 të Kodit të Procedurës Penale, Ragip Gila u lirua me kusht nga Gjykata e Shkodrës. Dënimi i tij u pezullua dhe për 5 vite do të ishte në shërbim prove, kohë gjatë së cilës nuk duhet të kryente vepër penale, të mos shoqërohej me persona me precedent penal dhe të mos posedonte armë. 6 muaj më pas, Ragip Gila shkaktoi një masakër në mes të Shkodrës./Lajm nga REPORT TV