Sulmuesi i Chichester City, Billy Vigar, ka ndërruar jetë në moshën 21-vjeçare pas një dëmtimi të rëndë në tru që pësoi gjatë një ndeshjeje të shtunën e kaluar. Ish-lojtari i Arsenalit u dëmtua gjatë një ndeshjeje të Ligës Isthmian kundër Wingate & Finchley, ndeshje e cila u ndërpre pas vetëm 13 minutash për shkak të incidentit.

Chichester City njoftoi në një deklaratë:

“Pas një dëmtimi të rëndë në tru të shtunën, Billy Vigar u vendos në koma të induktuar. Të martën iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për të rritur mundësitë e rikuperimit. Edhe pse operacioni ndihmoi disi, dëmtimi rezultoi të ishte tepër i rëndë dhe ai ndërroi jetë të enjten në mëngjes.”

Klubi i kategorisë së shtatë përmendi gjithashtu reagimet e shumta që morën pasi kishin dhënë një përditësim për gjendjen e Vigar më herët:

“Reagimet ndaj atij njoftimi treguan sa shumë dashuri dhe respekt kishte për Billy-n brenda botës së futbollit. Familja e tij është e shkatërruar që kjo tragjedi ndodhi teksa ai po luante sportin që e adhuronte.”

Vigar iu bashkua akademisë së Arsenalit në dhjetor 2017, në moshën 14-vjeçare, pasi ishte vërejtur nga skautët në klubin e tij të vendlindjes, Hove Rivervale FC. Ai nënshkroi kontratën e tij profesionale me Arsenalin në korrik 2022. Më pas u huazua te Derby County, ku luajti për ekipin nën-21, si dhe te Eastbourne Borough, përpara se të transferohej te Hastings United si lojtar i lirë në korrik 2024. Ai u bashkua me Chichester City para fillimit të këtij sezoni.

Chichester njoftoi gjithashtu se ndeshja e së shtunës në shtëpi ndaj Lewes është shtyrë.

Arsenali publikoi një homazh për ish-lojtarin e tyre të akademisë, duke e quajtur atë “i shpejtë, i fuqishëm dhe jashtëzakonisht i vendosur”:

“Të gjithë në Arsenal jemi thellësisht të tronditur nga lajmi tragjik për ndarjen nga jeta të sulmuesit të Chichester City dhe ish-lojtarit të akademisë sonë, Billy Vigar. Billy iu bashkua akademisë sonë në moshën 14-vjeçare, pasi u pikas nga skautët tanë teksa luante për Hove Rivervale FC dhe shkëlqeu si sulmues në Hale End, duke shënuar 17 gola në sezonin e tij të parë.

Në vitin 2020, performancat e tij i siguruan një bursë dhe ai u bë pjesë e plotë e klubit për sezonin 2020/21, së bashku me lojtarë si Charles Sagoe Jr, Remy Mitchell, si dhe të tjerë si Omari Hutchinson, Charlie Patino dhe Brook Norton-Cuffy. Billy luajti për ne në PL2 dhe EFL Trophy dhe ishte një aset i vlefshëm në të gjitha pozicionet e avancuara madje edhe në mbrojtje duke treguar përkushtim ndaj trajnerëve dhe shokëve të ekipit.

Përveç talentit të tij të madh, Billy do të mbahet mend gjithmonë për dashurinë ndaj lojës, krenarinë për të përfaqësuar klubin tonë një herë e quajti ditën kur u zbulua nga skautët tanë si ‘dita më e rëndësishme e jetës së tij’ si dhe për karakterin e tij të dashur nga bashkëlojtarët dhe trajnerët. Ngushëllimet tona më të thella shkojnë për familjen Vigar dhe të gjithë miqtë e tij në këtë kohë jashtëzakonisht të vështirë.”

Edhe Derby County shkroi në platformën X (ish-Twitter):
“Të gjithë në Derby County jemi thellësisht të pikëlluar nga ndarja nga jeta e Billy Vigar. Billy kaloi gjysmën e dytë të sezonit 2022/23 me Akademinë tonë, si huazim nga Arsenali, duke bërë disa paraqitje për ekipin nën-21. Mendimet tona janë me familjen dhe miqtë e tij në këtë periudhë jashtëzakonisht të vështirë.”