Detaje tronditëse kanë dalë nga ngjarja e rëndë që tronditi qytetin e Durrësit, ku 51-vjeçari Valbon Beqiraj u vra brutalisht me thikë brenda apartamentit të tij. Sipas burimeve nga grupi hetimor, viktima është masakruar nga autori i dyshuar 24-vjeçar, i cili e ka goditur atë më shumë se 20 herë me mjet prerës.

Fillimisht, i riu ka pretenduar se e qëlloi Beqirajn pasi ky i fundit tentoi ta përdhunonte, por hetuesit dyshojnë se vrasja ka qenë e paramenduar. Po ashtu, sipas burimeve, viktima dhe autori dyshohet se kishin një lidhje homoseksuale me njëri-tjetrin.

Beqiraj është gjetur në apartament vetëm me të mbathura, ndërsa trupi i tij ishte fshehur poshtë tavolinës së kuzhinës.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se viktima është goditur fillimisht pranë derës së apartamentit. Më pas, ka pasur përleshje mes tyre, gjatë së cilës Beqiraj ka tentuar të mbrohet. Gjurmët e gjakut janë të pranishme nga hyrja e banesës deri në kuzhinë, duke treguar për dhunën brutale që ka ndodhur brenda një harku kohor prej rreth 25 minutash.

Sipas policisë, kamerat e sigurisë kanë fiksuar momentin kur 24-vjeçari ka hyrë dhe më pas ka dalë nga pallati.