Nga Mero Baze
Zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 Marsit 2022 janë të ngjashme në numrin e bashkive me këto që priten. Edhe atëherë ishin 6 bashki, mes të cilave dy të mëdha – Durrësi dhe Shkodra. Tani janë po ashtu 6 bashki, mes të cilave Tirana dhe Vlora e rrisin peshën politike të zgjedhjeve.
Nëse i shikon nga pikëpamja e testit elektoral, zgjedhjet e 6 Marsit përfaqësonin gati 40 për qind të elektoratit, pasi hynë në garë Tirana, Burreli, Berati, Vlora, Cërriku dhe Tepelena. Pra, nëse do të ishim në një situatë politike normale, opozitës do t’i plotësohej dëshira të ritestohej nga pikëpamja elektorale pas humbjes së thellë të 11 Majit.
Por duket se opozita është shumë e mërzitur që do të hyjë në zgjedhje. Arsyeja është e kundërta e zgjedhjeve të 6 Marsit 2022. Edhe në ato zgjedhje opozita humbi thellë në rezultatin 5 me 1, por i shpalli si fitore, pasi mundën një armik më të madh dhe më të rrezikshëm se pushteti: armikun e Sali Berishës në PD, Lulzim Bashën.
Gara që Ilir Meta dekretoi papritur pas tre vitesh e ca vakance, u bë për të provuar “legjitimitetin” e Berishës në krye të PD-së dhe jo për të fituar bashkitë. Pikërisht kjo ishte dhe energjia e vetme e asaj fushate. E gjithë beteja zhvillohej mes kandidatëve të Bashës dhe atyre të Berishës, dhe pas atyre zgjedhjeve shumë deputetë të tjerë u shkëputën nga Basha dhe shkuan tek Berisha.
Ato zgjedhje, edhe pse të humbura rëndë përballë pushtetit, ishin ndër më entuziastet që PD ka përjetuar, sepse legjitimuan rikthimin formal të Berishës në krye të partisë.
Ndërsa zgjedhjet e tanishme që priten të dekretohen kanë dëshpëruar PD-në dhe i kanë krijuar një lloj bezdie për arsyen e kundërt të 6 Marsit. Në PD nuk ka më armiq të Berishës dhe këto zgjedhje nuk u duhen për asgjë. Të qartë se pushtetin nuk e mundin dot, në PD janë të shqetësuar madje edhe për emrat që do të garojnë, pasi kanë frikë se do të kthehen në protagonistë të rinj dhe u prishin gjakun në të ardhmen.
Tani që secili ka marrë pjesën e vet brenda pushtetit të opozitës, këto zgjedhje janë një bezdi që do të ishte mirë të shmangeshin. Madje kjo është dhe arsyeja e vetme që mund t’i bindë për bojkot. E vetmja gjë që i frenon është fakti se nëse lënë fushën bosh, aktorët e rinj të partive të tjera do të rriten artificialisht dhe do t’u rrezikojnë të ardhmen si parti.
Për gjithë këto arsye, këto zgjedhje janë tërësisht të kundërta me 6 Marsin 2022. Nëse atëherë i motivonte dëshira për të legjitimuar Berishën, tani i demotivon dëshira për ta delegjitimuar atë si udhëheqës që i çon tek humbja. Ata nuk duan ta dëgjojnë vazhdimisht këtë gjë në zgjedhje. Një herë në katër vjet është boll që ta dëgjojnë si humbës. Dy herë në vit është shumë. Ndaj janë të mërzitur.