Për 38 vite, jeta e Argjirosë dhe familjes së saj ka qenë një sfidë e vazhdueshme dhe sakrificë e papërshkrueshme. Siç nëna rrëfeu në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, lindja e vajzës ishte një gëzim që shpejt u kthye në një goditje për familjen.
Vajza ishte paraplegjike dhe për vite me radhë, ajo bëri të pamundurën që t’i siguronte gjithçka mundi, mbi të gjitha, dashurinë e pakushtëzuar, por s’mjaftoi. Një vit më parë, vajza u nda nga jeta.
Gjatë viteve, kujdesi ndaj vajzës e detyroi që të mos mundte t’u kushtonte tri djemve të njëjtën vëmendje. Ajo mbështetej te ta për gjithçka, por veçon djalin e madh, Blerimin që nuk e la kurrë vetëm dhe iu gjend pranë për çdo nevojë motrës së tij. Pengjet e Argjirosë janë të shumta dhe ajo dëshiron që të lehtësohet sadopak duke u shprehur mirënjohjen Blerimit dhe bashkëshortes së tij, Anxhelinës.
Argjiro: Ju e dini që jeta jonë s’ka qenë fort e mirë, ka qenë shumë e vështirë dhe unë jo se doja të të ftoja vetëm ty, por në emër të të treve të kam ftuar vetëm ty, se ju të tre keni bërë maksimumin për motrën, por ti ke bërë pak më shumë. Ti ke qenë çdo ditë, çdo orë me ne. Goja ime, fjala e parë, emri i parë që fliste gjithmonë ishte Blerim. Ti ke qenë atje për ne, për çdo kërkesë dhe çdo nevojë të motrës. Kryesorja ti ke qenë atje çdo mëngjes duke e përkëdhelur e çdo darkë. Kur bëmë dasmën, u thashë nipave mos e lini të kalojë nga motra. Ky bëri sikur u nis dhe u kthye te motra, takoi motrën dhe pastaj iku për të marrë nusen. Kaq shumë ka bërë.
Ardit Gjebrea: Po sot ç’ke për t’i thënë Blerimit dhe Anxhelinës?
Argjiro: Një faleminderit shumë të madhe për gjithë ndihmën që kanë dhënë, vërtet ajo ishte motra e tij dhe i them shumë faleminderit që nuk më la vetëm. Është bukur kur troket dikush në derë në mëngjes dhe në darkë,mirëmëngjes dhe mirëmbrëma, por është shumë herë më bukur kur ai person është fëmija yt, është e paçmuar. Edhe Anxhelina ka bërë boll për Shpresën. Shumë herë ka qëndruar me të dhe mundësia, puna,ndihma e këtyre ka bërë që unë mos të shkëputem nga puna, kam bërë edhe punë të dytë.
Pushimet familjare apo edhe një kafe kanë qenë të munguara për Argjironë dhe tani e tutje, ajo ka një premtim: të zëvendësojë kohën që s’ka mundur dot t’ia japë familjes.
Argjiro: Nga sot e nesër do t’u përgjigjem kërkesave të tyre, të miat, do të bëj të pamundurën të zëvendësojmë kërkesat e paplotësuara. Me këta, me çunat.
Blerim: Ke bërë ti për ne pafund!/Tv Klan