Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të shkatërrojnë grupet kriminale të huaja, madje edhe me veprime ushtarake, nëse kjo konsiderohet e nevojshme.
Gjatë një vizite në Ekuador, Rubio tha se SHBA-të mund të veprojnë në bashkëpunim me vende të tjera aleate, për të goditur bandat kriminale.
“Ata do të na ndihmojnë të gjejmë këta njerëz dhe t’i hedhim në erë, nëse kjo është ajo që duhet”, u shpreh ai.
Shefi i diplomacisë amerikane njoftoi gjithashtu se dy nga bandat më të mëdha kriminale të Ekuadorit pritet të shpallen si organizata terroriste të huaja.
Komentet e tij erdhën pak ditë pasi forcat amerikane goditën një varkë në Detin e Karaibeve, duke vrarë 11 trafikantë droge. Shtëpia e Bardhë konfirmoi aksionin, por nuk bëri të ditur identitetet e tyre.
I pyetur nëse kontrabandistët që veprojnë edhe nga vende partnere si Meksika dhe Ekuadori mund të jenë objektiv i sulmeve amerikane, Rubio theksoi se “qeveritë bashkëpunuese” do të luajnë rol në identifikimin e tyre.
“Presidenti ka thënë se dëshiron të shpallë luftë kundër këtyre grupeve, sepse ata kanë shpallur luftë kundër nesh për 30 vjet dhe askush nuk ka reaguar”, shtoi Rubio.