Dokumentari “Më i fortë se Ciklopët” i regjisorit italian Stefano Grossi, sjell jetën dhe kujtesën e Fatos Lubonjës, si një reflektim mbi historinë dhe traumat e Shqipërisë. Përmes fragmenteve nga ditari i tij dhe dëshmive personale, Lubonja pohon: “Kjo kohë që jetojmë është rezultat i asaj traume që kemi kaluar si popull dhe që ende nuk e kemi përballuar.”
Në qendër të dokumentarit të ri të regjisorit italian Stefano Grossi, “Più forte dei Ciclopi” (Më i fortë se Ciklopët), është Fatos Lubonja, një prej figurave më të spikatura të shkrimit dhe reflektimit kritik mbi Shqipërinë. Filmi dokumentar, i realizuar në bashkëpunim me arkiva dhe dëshmi origjinale, ndërthur fragmente nga ditari i Lubonjës, kujtime intime dhe vizita në vende simbolike, si Spaçi, për të ndërtuar një mozaik të dhimbshëm e të thellë mbi diktaturën dhe pasojat e saj.
“Kujtimet buzë Adriatikut në Durrës… deti këtu ndihej keq siç ndiheshim ne. Jetoja brenda një kundërshtie”, rrëfen Lubonja në film, duke e lidhur përvojën personale me përmasat kolektive të një shoqërie të mbyllur.
Grossi kishte zbuluar ditarin e tij vite më parë, duke realizuar fillimisht një dokumentar të shkurtër, më pas edhe një film mbi ndryshimet e Shqipërisë gjatë tranzicionit. Ky bashkëpunim i hershëm, çoi drejt idesë për të ndërtuar një dokument të plotë mbi jetën e Lubonjës dhe, përmes saj, mbi Shqipërinë e gjysmës së dytë të shekullit XX dhe fillimit të XXI.
Filmi nuk është vetëm rrëfim biografik, por edhe një reflektim filozofik. Lubonja e sheh të shkuarën si një traumë kolektive, të cilën shoqëria shqiptare ende nuk e ka përballuar.
Në një tjetër rrafsh, dokumentari hap debatin për demokracinë dhe shoqërinë shqiptare sot.
“Më i fortë se Ciklopët” është kështu një udhëtim i dyfishtë në kujtesën e një individi që jetoi burgun, izolimin dhe tranzicionin, por edhe në historinë e një kombi që përpiqet ende të kujtojë traumën e vet kolektive. Një film që përmes zërit të Lubonjës, bëhet dokument dhe dëshmi e Shqipërisë.