Gjyqtarja Irena Gjoka u caktua me short për të shqyrtuar çështjen për kalim ose jo për gjykim, në ngarkim të ish-presidentit Ilir Meta. Juristja Brizida Gjikondi në një intervistë në “News Line” në ABC News tha se Gjoka është një gjyqtare me integritet.

Sa i përket sulmeve nga Meta ndaj gjyqtares, Gjikondi tha se janë një mendësi shumë e shëmtuar. Ndërsa për Monika Kryemadhin u shpreh se SPAK nuk duhet të jetë aq tolerant dhe se nuk mund ‘të fshihet pas gjinisë.’

“Irena Gjoka është gjyqtare me integritet. Gjoka është një nga gjyqtaret që i kanë rënë shorti për seancën paraprake…dhe për mendimin tim këto broçkullat që thotë avokati i zotit Meta, që do kërkojë largimin, nuk është e vërtetë sepse thjesht po bëhet një verifikim dhe nuk është në hetim. Pra është një mënyrë e SPAK që bën verifikim dhe ajo ka gjithë të drejtën të marrë pjesë në dosjen e Metës.

Me sulmet dhe akuzat e tij, Meta ka treguar një mendësi shumë të shëmtuar. Dosja tashmë është gati, deri tani SPAK nuk zhgënjyer me dosjet e tij, ka qenë i kujdesshëm, madje mendoj që ka qenë pak kursimtar me veprat penale që i ka vënë në ngarkim.

Sa për Kryemadhin, mendoj që SPAK nuk duhet të jetë aq tolerant edhe për gjithë të tjerat, krimet janë krime dhe nuk mund të fshihesh pas gjinisë. Jo vetëm Kryemadhi por edhe gra të tjera nuk mund t’i bëjnë karshillëk publikut shqiptar as me rrobat firmato…”, tha Gjikondi.