Sot do të zhvillohet seanca e radhës për gjyqin në themel të çështjes “Partizani” ndaj Sali Berishës, dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi dhe tre personave të tjerë.
Në muajin korrik, Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rrëzoi kërkesën e avokatëve të Sali Berishës dhe Malltezit të cilët kërkuan përjashtimin e trupës gjykuese të përbërë nga gjyqtarët Elsa Ulliri, Bib Ndreca dhe Rudina Palloj.
Më herët, edhe relatorja e çështjes, gjyqtarja Elsa Ulliri kishte kërkuar dorëheqjen duke argumentuar se ka një të afërme, ish-deputeten e PD-së, Andia Ulliri. Por edhe kërkesa e saj u refuzua në GJKKO.
Kujtojmë se Berisha akuzohet për korrupsion pasiv, kryer në bashkëpunim, ndërsa Jamarbër Malltezi për korrupsion aktiv dhe pastrim parash. Të pandehur në këtë çështje janë gjithashtu edhe Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina.
Dosja lidhet me privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani” në Tiranë, që dikur ishte pronë e Ministrisë së Mbrojtjes. Hetimet e SPAK pretendojnë se ky proces është zhvilluar në mënyrë të paligjshme dhe ka sjellë përfitime të padrejta për Jamarbër Malltezin, dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha.