Në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Fier u zhvillua sot një vizitë zyrtare e përfaqësuesve të Ambasadës Britanike në Tiranë. Zëvendësambasadorja Julia Sutherland, Sekretari i Dytë John Walker dhe Menaxherja e Projektit Rovena Demaj u pritën nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, për të parë nga afër investimet dhe projektet e realizuara në këtë institucion.

Pjesë e vizitës ishin edhe tre drejtorë të tjerë të institucioneve të vuajtjes së dënimit, të cilët u njohën me praktikat e suksesshme të implementuara në Fier dhe mundësitë për aplikimin e tyre në institucionet që drejtojnë.

Gjatë vizitës, vëmendje të veçantë morën palestra dhe ambientet e ndërtuara për zhvillimin e kurseve profesionale, si ai për instalime elektrike, të financuara nga Qeveria Britanike përmes Ambasadës në Tiranë. Këto projekte janë pjesë e një bashkëpunimi të qëndrueshëm për përmirësimin e kushteve në sistemin penitenciar dhe forcimin e komponentit të rehabilitimit.

Këto kurse synojnë pajisjen e të dënuarve me aftësi të dobishme për tregun e punës, duke u ofruar një mundësi reale për një integrim të suksesshëm në shoqëri pas përfundimit të dënimit. Certifikatat që lëshohen pas përfundimit të kurseve janë të barasvlershme me ato të ofruara jashtë sistemit penitenciar, pa bërë referencë për vendin e zhvillimit të tyre.

Drejtori Qose falënderoi Ambasadën Britanike për mbështetjen e vazhdueshme dhe vlerësoi kontributin e saj në drejtim të humanizimit dhe modernizimit të sistemit korrektues shqiptar.