Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka përcjellë një mesazh për nxënësit, mësuesit dhe prindërit, ku thekson se siguria në shkolla mbetet prioriteti kryesor i Policisë.

Mesazhi i Ilir Prodës:

Të dashur nxënës, mësues dhe prindër,

Çdo fillim i vitit të ri shkollor është një emocion i madh për të gjithë, sepse aty ndërtohet e ardhmja e fëmijëve tanë. Për Policinë e Shtetit, siguria në shkolla është dhe mbetet prioriteti ynë kryesor.

Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, oficerët e sigurisë në shkolla, mësuesit, drejtuesit e shkollave, prindërit dhe qeveritë e nxënësve, Policia e Shtetit do të jetë pranë jush përmes Patrullave të Përgjithshme, strukturave të Policimit në Komunitet, Policisë Rrugore dhe Policisë Kriminale, për të garantuar mjedise të sigurta brenda dhe rreth shkollave.

Ne besojmë se vetëm së bashku mund t’u japim fëmijëve tanë atë që meritojnë: një vit të qetë, të sigurt dhe të mbushur me dije.

Ftoj të gjithë aktorët që i ngarkon ligji për zbatimin e masave të përcaktuara në Paketën e Sigurisë në Shkolla, që të kontribuojnë në interesin e përbashkët: sigurinë e fëmijëve tanë.

Uroj një vit të mbarë shkollor për të gjithë nxënësit, për fëmijët e punonjësve të Policisë së Shtetit të cilët nuk u shoqëruan sot në shkollë nga prindërit, për shkak të angazhimit në detyrë, dhe në veçanti për fëmijët e dëshmorëve të Policisë.