Ylli i muzikës pop, Dua Lipa, ka ndërprerë marrëdhëniet profesionale me menaxherin e saj, David Levy, pas përfshirjes së tij në një fushatë kundër grupit irlandez të repit Kneecap, i cili performoi në Festivalin e Glastonbury.
Sipas raportimeve, Levy ishte nënshkruesi kryesor i një letre konfidenciale drejtuar organizatorit të festivalit, Michael Eavis, ku kërkohej heqja e Kneecap nga programi për shkak të lidhjeve të tyre pro-palestineze. Letra u bë publike, duke nxitur reagimin e Duas, e cila është e njohur për mbështetjen e të drejtave të palestinezëve.
Një burim i industrisë muzikore tha se këngëtarja ka kërkuar që Levy të mos merret më me menaxhimin e muzikës së saj, duke theksuar se nuk mund të pranonte një menaxher që përdorte taktika presioni kundër qëndrimeve të saj. Dua Lipa ka shprehur hapur mbështetjen për Palestinën përmes platformës së saj në Instagram, ku ka 88 milionë ndjekës, dhe është përfshirë në tubime kundër bashkëpunimit të Mbretërisë së Bashkuar në konflikt.