Policia e Durrësit ka arrestuar një 37-vjeçar dhe kanë vendosur nën hetim tre persona të tjerë, pasi akuzohen se vendosnin baste sportive përmes telefonave.

Policia bën me dije se katër personat e akuzuar, janë konstatuar në një lokal, në sektorin Hekurudha Plazh, duke vendosur baste sportive në telefonat e tyre.

Ata do të akuzohen për veprën penale “Organizimi i lotarive, lojërave të fatit apo bixhozit, në kundërshtim me dispozitat ligjore”.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh, Komisariati i Policisë Durrës, në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit, si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme në ambiente të ndryshme, kanë evidentuar një lokal ku ushtrohej kjo veprimtari.

Në vijim të veprimeve, u arrestua shtetasi D. I., 37 vjeç, banues në Durrës, si dhe u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit D. B., 35 vjeç, M. D., 27 vjeç dhe N. K., 62 vjeç, të gjithë banues në Durrës, për veprën penale “Organizimi i lotarive, lojërave të fatit apo bixhozit, në kundërshtim me dispozitat ligjore”.

Këta shtetas janë konstatuar në një lokal, në sektorin Hekurudha Plazh, duke vendosur baste sportive në telefonat e tyre”, informoi policia e Durrësit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Durrës, për veprime të mëtejshme.