Kuvendi i Shqipërisë mblidhet këtë të martë në dy seanca plenare, pak ditë pas konstituimit të legjislaturës së re dhe zgjedhjes së Niko Peleshit në postin e kryetarit të Kuvendit.

Sipas vendimit të firmosur nga kryetari i Kuvendit, seanca e parë plenare është planifikuar në orën 10:00, ndërsa e dyta në orën 17:00.

Në seancën e paradites janë parashikuar tre pika në rendin e ditës: votimi i zëvendëskryetarëve të Kuvendit, sekretariatit teknik dhe Byrosë së Kuvendit. Në seancën e pasdites është planifikuar zgjedhja e kryesive të komisioneve të përhershme parlamentare.

Dy seancat plenare pasojnë takimin konsultues të një dite më parë që kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi zhvilloi me krerët e grupeve parlamentare, ku u diskutua mbi propozimet e kryetarit të Partisë Socialiste, njëherazi kryeministrit Edi Rama për riformatimin e komisioneve parlamentare.

Sipas mazhorancës, formatimi komisioneve të përhershme parlamentare në 11 është një hap që reflekton fokusimin e punës së Kuvendit tek objektivi kombëtar i anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ky propozim kundërshtohet nga opozita, e cila e konsideron shkelje të rregullores së Kuvendit dhe reduktim të zërit të saj në Parlament.

Kreu i grupit Parlamentar te PS, Taulant Balla, pas takimit tha për mediet se, “Kuvendi i Shqipërisë duhet të ketë një organizim të ri me 11 komisione, të cilët të reflektojnë edhe momentin historik në të cilin gjendemi, pra nevojën që Kuvendi ka për t’iu përqasur marrëveshjes për anëtarësim në BE, nevojën që Kuvendi ka që më në fund të kemi një komision parlamentar për diasporën”.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në një letër drejtuar nëntë ambasadave në Tiranë, përfshirë ambasadën e Shteteve të Bashkuara dhe Delegacionin e Bashkimit Evropian, ka ngritur shqetësimin mbi ndryshimet e propozuara në Rregulloren e Parlamentit, duke i cilësuar të njëanëshme.

Një ditë më parë, grupi parlamentar i Partisë Socialiste u mblodh nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, ku sipas medieve, u diskutua edhe ndarja e drejtimit të komisioneve parlamentare.

Emrat e kryetarëve të rinj të komisioneve parlamentare nga mazhoranca:

Ulsi Manja – Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike

Bledi Çuçi – Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe Mbrojtjen

Igli Hasani – Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme

Milva Ekonomi – Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat

Anila Denaj – Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastruktura dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm

Blendi Klosi – Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural

Damiani Gjiknuri – Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore

Fatmir Xhafaj – Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale

Arbian Mazniku – Komisioni i Posaçëm për Reformën Administrative-Territoriale

Ndërsa Partia Demokratike pritet të drejtojë katër komisionet e tjera, por ende nuk dihen emrat: Edukimi, Shkenca dhe Sporti; Shëndetësia dhe Mirëqenia Sociale; Të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik; Kultura, Turizmi dhe Diaspora.