Avokati i Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Metës, Kujtim Cakrani ka reaguar pasi Irena Gjoka u zgjodh gjyqtarja që do të gjykojë dosjen kundër Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Cakrani ka konsideruar si një short të dyshimtë dhe vë në dukje se kjo gjyqtare shfaqet në të gjithë proceset e eksponentëve të opozitës.
Gjithashtu avokati theksoi faktin se Irena Gjoka po hetohet nga kreu i SPAK, Altin Dumani dhe në një rast të tillë nuk ka logjikë, pasi kjo gjyqtare është zgjedhur për t’i rënë opozitës. Ndër të tjera avokati theksoi se nuk do e pranojnë Irenën si gjyqtare.
“E prisja që do ishte Irena Gjoka gjyqtarja, sepse s’është rastësi që shorti bie me Irena Gjokën. Padyshim që s’do ta pranojmë këtë gjyqtare, jo vetëm për faktin që ka dënim penal, që ka mashtruar, por mbi të gjitha ajo është anatemuar si nga z.Meta, PL, por edhe qëndrimet e mia si avokat në studiot televizive.
Unë do flas me klientin tim, z.Meta, dhe do shohim qëndrimin tonë në momentin e duhur për gjyqtaren Gjoka. Meta është i pafajshëm dhe apostafat mjeshtrat e prokurorisë manipulojnë dosjet dhe gjejnë gjyqtare si Gjoka për t’i vënë kapakun. S’më njohin mirë akoma. Do ta kuptojnë kush jam unë. Ne do ta fitojmë këtë betejë sepse jemi në të drejtën tonë. Jo Irena Gjoka që s’na del përpara, por s’na del dot askush.
Është mirë që të japë dorëheqjen vet sot, që mos kërkojmë ne përjashtimin dhe të ndjekim procedurat ndaj saj. Nuk është rastësi që znj.Gjoka është në trupin gjykues të Mediut, Belerit, masën paraprake për Berishën, dhe tani për Metën. Ne s’do ta pranojmë. Shorti është i dyshimtë. Fakti që ka qenë elektronik s’e bën të rregullt, se elektronike bëhen edhe zgjedhjet. Ne shortin e kontestojmë. Kjo zonjë s’ka moralin, integritetin dhe aftësinë të gjykojë çështje të tilla”, tha Cakrani.