Dy persona kanë kërcënuar forcat “Shqiponja” të Policisë së Shkodrës, teksa këto të fundit ndodheshin në një postbllok në hyrje të qytetit.
Sipas burimeve zyrtare, dy personat janë afruar pranë efektivëve dhe i kanë kërcënuar me fjalët:
“Do t’ju hapim barkun me plumba”, përpara se të largoheshin menjëherë nga vendngjarja.
Menjëherë pas incidentit, forcat policore janë vënë në ndjekje të tyre dhe kanë arritur t’i ndalojnë. Të dy personat janë shoqëruar në ambientet e Policisë së Shkodrës, ku po merren në pyetje për të zbardhur rrethanat dhe motivet e këtij kërcënimi.
Ende nuk dihen arsyet që çuan në këtë akt të rëndë ndaj uniformave blu, ndërsa hetimet janë në vijim.