Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit njoftoi finalizimin e një operacioni të suksesshëm në kuadër të hetimeve për mashtrime online.
Operacioni i koduar “XUEX”, i zhvilluar në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë Fier dhe me mbështetjen e Prokurorisë së Fierit, çoi në ndalimin e Ereledio Shebekut, i dyshuar si organizatori kryesor i skemave mashtruese piramidale në zonën e Divjakës.
Autoritetet bëjnë me dije se Shebeku kishte rol kyç në organizimin dhe përhapjen e platformave mashtruese online, duke rrezikuar qytetarët dhe sigurinë publike përmes grumbullimit të të dhënave personale dhe financiare.
Policia e Shtetit thekson vendosmërinë për të luftuar krimin kibernetik dhe u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes ndaj platformave të dyshimta dhe të mos shpërndajnë të dhënat e tyre personale apo bankare në faqe të pasigurta.
Çdo rast i dyshimtë mund të raportohet pranë strukturave të Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik ose pranë seksioneve përkatëse në çdo Drejtori Vendore të Policisë.