Nga Mero Baze/
Duket sikur opozita nuk ka asnjë shpresë tjetër për të rrëzuar Edi Ramën përveçse tek SHBA. Edhe pse qeveria nuk ka asnjë problem në axhendën e saj me SHBA, përkundrazi i ka raportet shumë të mira, përpjekja për të rritur pritshmërinë se atij “do t’i vijë fundi nga SHBA”, është dhe qesharake, dhe paradoksale për opozitën, e cila në fakt vazhdon të fajësojë SHBA për gjendjen e saj.
Për të disatën herë po kapen pas çështjes McGonigal, një proces juridik i ezauruar në SHBA, për shkak të lidhjeve ruse të ish-agjentit të lartë të FBI-së, për të cilat dhe po vuan dënimin.
Të gjitha detajet e lidhjeve të McGonigal-it me Shqipërinë janë bërë publike prej kohësh dhe janë përsëritur në raportin e fundit të bërë publik një ditë më parë, pa asnjë zhvillim të ri. Ish-agjenti i FBI-së, në rastin e Shqipërisë, është akuzuar se ka shkelur kodin e etikës së FBI-së duke mos deklaruar takimet me kryeministrin e Shqipërisë në Tiranë, meqë ishin takime private.
Historitë e raporteve të tij me një ish-punonjës të Sigurimit të Shtetit para viteve ’90, po ashtu janë raporte mes dy qytetarëve amerikanë që trajtohen me ligjet amerikane.
Kjo është ana qesharake e problemit.
Paradoksi është që e gjithë beteja katërvjeçare e opozitës, qysh nga viti 2021 kur Sali Berisha është shpallur “non grata”, është e drejtuar kundër ndikimit amerikan në Shqipëri, kundër “përfshirjes” së tyre në punët e brendshme të Shqipërisë, dhe kanë bërë një betejë shembullore për t’u pasur zili si sovranistë kundër SHBA.
Tani, kjo ëndërr e tyre që SHBA të ndëshkojë Edi Ramën meqë këta nuk e rrëzojnë dot, përveçse tregon pafuqinë e tyre, hedh poshtë dhe gjithë betejën e tyre katërvjeçare “sovraniste” kundër SHBA, pikërisht për këto që po kërkojnë tani nga SHBA për hallin e tyre me Edi Ramën.
Për të qenë më seriozë, duhet të mblidhen një herë, të deklarojnë se beteja e tyre ka qenë një gabim i madh kundër SHBA, të pranojnë që shpresa e vetme e Shqipërisë është SHBA, dhe pastaj t’i luten t’i dënojnë Edi Ramën.
Dënimi më i rëndë që SHBA i jep një lideri të një vendi aleat kur nuk është në një linjë me SHBA është shpallja “non grata”: ajo që ka marrë Sali Berisha. Me këtë rast, duhet të caktojnë çfarë dënimi duhet t’i japin Edi Ramës. Dënim më të lartë se “non grata” nuk ka.
Por, siç e thamë, beteja e “shkëlqyer” e Berishës kundër SHBA e ka zhvlerësuar këtë status në Shqipëri. Për katër vite ai e ktheu atë në medalje dhe mburrej me të. Madje asaj ia dedikon dhe ringjalljen e tij në politikë në moshën 80-vjeçare.
Tani, kjo ëndërr e tyre që SHBA të ndëshkojë Ramën dhe ta barazojë me Berishën në raport me Amerikën është një ëndërr legjitime, por nuk mjafton për t’i bërë të barabartë para shqiptarëve.
Kështu që më së miri do ishte të marrin një herë qëndrim për betejën e tyre me SHBA. Ta dënojnë atë ose të kërkojnë ndjesë për injektimin e antimerikanizmit në Shqipëri dhe të kthehen në normalitet si një parti që shpresën e ka tek SHBA dhe jo tek lufta me të. Dhe pastaj të fillojnë të ëndërrojnë që të mundin Edi Ramën me ndihmën e SHBA-së.