Tyler Robinson, 22-vjeçari që akuzohet se vrau aktivistin republikan Charlie Kirk në SHBA pak ditë më parë gjatë një takimi në publik, ka bërë deklarata në rrjet social teksa ishte në kërkim nga FBI.

Sipas New York Times, hetuesit kanë tashmë në dorë disa biseda në “Discord”, një platformë online mesazhesh, ku përdorues të tjerë shkruanin se personi në foton e bërë publike si autor i dyshuar ishte pikërisht Tyler Robinson. Njëri prej tyre i shkruajti 22-vjeçarit, duke i thënë: “Ku je”?

Robinson u përgjigj brenda 1 minute, duke bërë humor: “Është sozia ime, kërkon të më fusë në telashe”.

Një tjetër përdorues shkruajti se i dyshuari është pikërisht Tyler.

Mesazhet nuk japin ndonjë informacion mbi motivin e mundshëm të të shtënave, për të cilin janë ngritur diskutime të ashpra nga ata që përpiqen të lidhin vrasjen për motive politike.

Të njohurit e Robinson thanë se ai ishte shumë inteligjent, ndiqte ngjarjet aktuale dhe kalonte shumë kohë online ose duke luajtur video lojëra. Ai ishte regjistruar për të votuar, por nuk ishte i lidhur me asnjë parti politike dhe duket se nuk kishte votuar asnjëherë në një zgjedhje. Prindërit e tij janë të regjistruar si republikanë.

22-vjeçari qëndroi në arrati për rreth 33 orë deri sa u arrestua nga FBI për vrasjen e aktivistit Charlie Kirk.

Ka qenë vetë babai i 22-vjeçarit që ia dorëzoi të birin autoriteteve amerikane, sapo ai shkoi në shtëpi.