Nga Mero Baze/

Mero Baze
Vendimi i Ministres së re të Shëndetësisë, Evis Sala, për të pranuar postin e ofruar nga Kryeministri Edi Rama mund të kthehet në një nga betejat më të rëndësishme të jetës së saj,e cila mund të tejkalojë edhe përgatitjen akademike dhe suksesin e saj ndërkombëtar të provuar.

Arsyeja nuk ka të bëjë me aftësitë e saj, por me problemet e shëndetësisë shqiptare.

Edhe pse tingëllon pak cinike, ministri i vetëm më reformator i shëndetësisë në Shqipëri mbetet Ilir Beqja. Ai guxoi në një kohë rekord të ndërmarrë disa reforma transformuese për shëndetësinë shqiptare përmes koncesioneve, të cilat janë të vetmet reforma që ka bërë qeveria Rama në tre mandatet e saj, por që ai i realizoi në tre vitet e para të tij si ministër. Për njërin prej tyre po vuan burgun si “grup kriminal”, edhe pse koncesioni i sterilizimit i ka kursyer para buxhetit të shtetit dhe jetë njerëzish shoqërisë shqiptare.

Por kjo është një temë e gjatë, e helmuar nga balta politike dhe vendimet ekstreme të prokurorisë, e cila gjykon dhe politikat e qeverisë.

Pas goditjes së tij, mjekësia shqiptare u rikthye si kërmilli në guaskën e saj dhe sot është në një gjendje hibride: as e reformuar, as e vjetër, as e aftë, as e strukturuar, as falas, as me lek, ku privatët sillen si spitale shtetërore dhe spitalet shtetërore si private; dhe ku njeriu mund të shërohet fare lehtë nëse gjen lidhjen e duhur – dhe mund të vdesë për një arsye banale.

E di që gjithë bota ka halle të tilla, por jo me kaq ngjyra sa i kemi ne.

Dëgjova disa premtime të saj dhe objektiva të Kryeministrit që kanë të bëjnë me problemet e fundit që i kanë dalë sistemit tonë, sidomos spitalit onkologjik. Nuk është mirë që një ministre me një biografi kaq serioze si mjeke dhe me sukses ndërkombëtar të marrë përsipër objektiva të veçanta. Ato padiskutim duhen bërë, me shtytjen e saj, por nuk duhet tue jenë objektiv poltik i saj.

Zonja Sala mund të hyjë në historinë e Shqipërisë si ministrja që duhet të bëjë reforma të dhimbshme në shëndetësi, por që të mbeten afatgjata, ne duhet t’i japim asaj besim dhe kohë për t’i realizuar ato – pa e zhytur në detyra ekzekutive që i takojnë shefave të spitaleve.

Shqipëria ka urgjente reformën e sigurimit shëndetësor, e cila shtyhet puerjetësisht per shkak te kostove sociale. Tarifa e sigurimit tonë shëndetësor është qesharake dhe e padobishme.
Shqipëria duhet urgjentisht të ngrejë detyrimin e qytetarit për të paguar sigurim shëndetësor të shkallëzuar në 3 apo 4 nivele, duke filluar nga ai bazë që garanton shërbime bazike falas, e deri tek më i shtrenjti që të garanton çdo gjë që të ndodh.

Rritja e të ardhurave duhet të përdoret në investime inteligjente në spitalet shqiptare, në futjen e teknologjisë më të avancuar dhe në pagesat e personelit shëndetësor.

Shumë nga shërbimet shëndetësore bazike, të prekura nga korrupsioni, mund të privatizohen si në Perëndim, kundrejt një fondi që sot qeveria e shpërdoron pa marrë shërbim efikas. I tillë mund të jetë shërbimi i mjekut të familjes, siç është në disa vende të Perëndimit, apo shërbimi për të moshuarit e vetmuar apo të sëmurë. Ka dhjetëra skema efikase në sistemet shëndetësore perëndimore që ia mbulojnë këto shërbime duke i ofruar ato me koncesion.

Nuk di të jap receta se çfarë mund të bëhet në shumë fusha të shëndetësisë për të qenë më afër qytetarëve, por është e rëndësishme që një ministre e tillë që vjen nga sistemi shëndetësor perëndimor, të mos zhytet në llumin e administrimit shëndetësor në Shqipëri, pasi nuk do të ketë kohë as për politika dhe vendime të guximshme, as për të ndryshuar në kohë rekord ato gjëra që ka nevojë shëndetësia shqiptare.

Do të jetë shumë e vështirë të kemi në krye të shëndetësisë një personalitet të tillë përsëri, nëse vendimin e saj për t’u kthyer në atdhe nuk e përdorim si duhet. Dhe e vetmja gjë që ka nevojë urgjent mjekësia shqiptare janë reformat. Ato duhen bërë shpejt, duhen bërë me guxim dhe duhen mbrojtur si një e mirë publike, duke injoruar baltën politike dhe gjyqet popullore ndaj një sektori jetik për shoqërinë shqiptare, që është më i sëmurë se pacientët e vet.