Pas SPAK, ku ishte paraditen e kësaj të hëne në zbatim të masës detyrim paraqitje për aferën Partizani, Sali Berisha i vijoi akuzat ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe George Soros nga selia e PD-së. Në daljen e radhës për mediat, Berisha tha se George Soros me fondacionin e tij, hartoi një dokument sekret në vitin 2013, që “planifikonte” Shqipërinë e ardhshme.
Duke harruar se dikur e vlerësonte dhe e falenderonte edhe për fitoren e PD-së në zgjedhje, Berisha tha se Soros, me këtë dokument, parashikonte konsolidimin dhe përjëetësimin e narkoshtetit të Edi Ramës.”
“Në vitin 2013, fondacioni i Xhorxh Sorosit në Shqipëri harton një dokument sekret, tani imagjinoni, mafioz ë, në një vend përpilon dokumentin sekret mbi Shqipërinë e ardhshme. Dokumenti sekret i Xhorxh Sorosit parashikonte: 1-Reformën konstitucionale apo kazmën konstitucionale. 2-Reformën e drejtësisë. 3-Reformën zgjedhore. Dokumenti sekret i Xhorxh Sorosit parashikonte konsolidimin dhe përjetësimin e narkoshtetit të Edi Ramës, e narkoregjimit të Edi Ramës në Shqipëri. Ndryshimet kushtetuese, reforma zgjedhore, truri i kësaj reforme përbëhej 100 përqind nga bashkëpunëtorët e fondacionit të Sorosit. U mobilizuan presione të jashtëzakonshme që një reformë shkatërrimtare për sistemin e drejtësisë t’u imponohej shqiptarëve.”, u shpreh Berisha.
Vijoi edhe më tej duke thënë se brenda PS-së aktualisht po bëhet një ‘luftë’ për postin e ministrit të Brendshëm dhe se kartelet po ‘garojnë’ për të vendosur një emër pro tyre. Kryedemokrati u pyet edhe për ankimimin në Kolegj Zgjedhor certikimin e zgjedhjeve të 11 majit, ndërsa pretendoi se çdo vendim i institucioneve të administrimit të zgjedhjeve, çdo vendim është dhënë në favor të PS-së.
“Nga data 20 mars, gjeri më sot, çdo vendim i institucioneve të administrimit të zgjedhjeve është marrë në favor të PS. Nga 20 mars e deri më sot, të gjitha shkeljet e mëdha të ligjit, krimet elektorale janë injoruar totalisht me gjithë qindra e mijëra dokumente zyrtare janë injoruar nga narkopolicia, nga institucionet e shqyrtimit të ankesave KQZ, dhe tërësisht nga Altin Troplini. Çdo vendim, i atj që quhet Kolegj Zgjedhor ka qenë kundër opozitës. Megjithatë, thjesht strikt për procedurë, ne kemi paraqitur rastet në kolegj. Opozita ndodhet para frontit më të gjerë e më të vështirë të betejës në tërë ekzistencën e saj. Do të bëjë çdo përpjekje për rikthimin e votës së lirë te shqiptarët dhe desorifikimin e Shqipërisë. Nuk ka vend tjetër që të jetë shndërruar në kopshtin e George Soros dhe Alex Soros si Shqipëria”, shtoi ai.
I pyetur për strategjinë që do të ndjekë PD-ja Berisha tha se do të mbledhë forumet para sesionit të ri parlamentar.
“Forumet do mblidhen gjatë këtyre ditëve dhe do ketë një vendimmarrje para sesionit parlamentar”, tha ai.