FIFA ka publikuar të enjten renditjen e përditësuar të skuadrave kombëtare për muajin shtator. Kombëtarja shqiptare ka shënuar një rritje në klasifikim, duke u ngjitur në vendin e 66-të në botë, pas fitores 1-0 ndaj Letonisë në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026 në Grupin K.
Me 1380.66 pikë, kuqezinjtë lënë pas ekipe të njohura si Emiratet e Bashkuara Arabe, Gjeorgjia dhe Finlanda.
Ndërkohë, Kosova vijon të shënojë përparim të dukshëm në arenën ndërkombëtare. Pas triumfit 2-0 ndaj Suedisë, “Dardanët” janë ngjitur me katër pozita dhe për herë të parë pozicionohen në vendin e 91-të në renditjen botërore të FIFA-s.
Në krye të klasifikimit ka pasur ndryshime të rëndësishme. Spanja rikthehet në vendin e parë për herë të parë pas afro tre vitesh, duke zbritur Argjentinën – kampionen në fuqi të botës në pozitën e tretë. Franca mban vendin e dytë, ndërsa më pas renditen Anglia, Portugalia, Brazili, Holanda, Belgjika, Kroacia dhe Italia.