Mariza Kola, motra e 34-vjeçarit Kristian Kola, i cili u ekzekutua në qendër të Shkodrës, ka folur ekskluzivisht për Euronews Albania për Review me moderatore Greta Topjana duke rrëfyer dhimbjen dhe dyshimet e saj rreth ngjarjes tragjike.
Ajo shprehet e prekur se vëllai i saj nuk kishte asnjë precedent penal dhe ishte një person i qetë, pa konflikte apo armiqësi me askënd.
“Më morën në telefon, më thanë vëllain tënd e kanë vrarë. Më kanë marrë nga shoqëria, jo familjarët fillimisht. Vëllai s’ka qenë me precedent penal. Kanë punuar në ndërtim dhe nuk është marrë kurrë me gjë tjetër. Asnjëherë s’ka pasur as konflikt, as hasmëri me kërkënd.”- tregon Mariza Kola.
Ajo shton se ka folur me të vetëm një ditë përpara vrasjes dhe kishte pritur të fliste sërish në darkë, por kjo nuk ndodhi.
“Asnjë gjë nuk dimë, asgjë nuk na kanë thënë. Nuk është e lehtë ta fusësh në mendje këtë.” -shprehet ajo.
Mariza thotë gjithashtu se babai i tyre nuk është lejuar të shohë trupin e vëllait kur u transportua, ndërsa ambulanca ka vonuar rreth një orë për të mbërritur në vendin e ngjarjes.
“Është punë e policisë të gjejë autorët dhe të zbardhë çfarë ka ndodhur. Por unë dyshoj që policia është e implikuar në këtë krim. Dua vetëm drejtësi.”- përfundon ajo.
Ngjarja ndodhi në një lokal në qendër të Shkodrës, te “Kinema Republika”, ku Kristian Kola po pinte kafe kur u qëllua me armë zjarri nga dy autorë të panjohur, të cilët e lanë të vdekur në vend./Euronews Albania