Mbrëmjen e sotme kombëtarja kuqezi do të zbresë në fushë për ndeshjen vendimtare që lidhet me objektivin tonë të kualifikimit për në finalet e Botërorit, atë ndaj Letonisë.
Trajneri Sylvinho është detyruar nga rregullat e UEFA-s që të ketë të gatshëm 23 futbollistë, nga 25 që ka grumbulluar.
Kështu, Myrto Uzuni, që kishte shfaqur disa shqetësime fizike, dhe Maldini Kacurri janë lënë në tribunë. Veç tyre, jemi mësuar që trajneri Sylvinho të mos bëjë eksperimente apo shumë ndryshime në ndeshjet zyrtare, kështu që sa i përket formacionit të mundshëm për këtë mbrëmje pritet të jetë pak a shumë i njëjti. Në portë Strakosha, ndërsa në repartin e mbrojtjes katërshja e përhershme, Gjimshiti, Ajeti, Hysaj dhe Mitaj. Sa i përket mesfushës, në vend të Ramadanit, nisur nga paraqitjet e fundit, pritet të jetë Julian Shehu, i mbështetur nga Asllani dhe Qazim Laçi.
Ndërkohë, repartin e sulmit jo të gjithë që aktivizoi në ndeshjen miqësore ndaj Gjibraltarit la shije të mirë tek trajneri.
Gjithsesi, pritet që në repartin e sulmit në qendër të jetë Rei Manaj, i ndihmuar nga krahët nga Jasir Asani dhe Nedim Bajrami, duke lënë kështu Armando Brojën në stol me gjasë, nisur nga mungesa e formës optimale për ta filluar këtë ndeshje nga fillimi. Gjithsesi, një tjetër dilemë mbetet ajo e Kristjan Shpendit, një nga të paktit lojtarë që i dha sinjale pozitive trajnerit në miqësoren e fundit.