Një imazh që po qarkullon gjerësisht në mediat sociale ka tërhequr vëmendjen e botës: liderët e Kinës, Rusisë dhe Koresë së Veriut të bashkuar në një shfaqje simbolike fuqie, përballë syve të botës. Parada ushtarake 70-minutëshe në Pekin, e shoqëruar nga prania e figurave kryesore të aleatëve të Kinës, përfaqëson shumë më tepër se një ngjarje ceremoniale. Ajo shihet si një sinjal i qartë dhe i qëllimshëm për Perëndimin – veçanërisht për Shtetet e Bashkuara.

Sipas një analize të BBC-së, mesazhi i përcjellë nga Pekini është i drejtpërdrejtë:

“Nëse Amerika kërkon të rikthejë madhështinë e saj dhe të vërë veten në plan të parë, Kina është gati të ofrojë një rend alternativ botëror, me veten në krye.”

Këtë javë, në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, u pa një afrim i dukshëm mes Pekinit, Moskës dhe Nju Delhit. Vladimir Putin e përshëndeti Xi Jinping si një “mik të vërtetë”, ndërsa udhëheqësi kinez e quajti homologun e tij rus një “mik të vjetër”, duke theksuar gjithashtu përpjekjet për të ndërtuar një bllok të fuqishëm kundër ndikimit të Perëndimit.

Analistët theksojnë se, ndonëse këto shtete nuk janë në harmoni të plotë dhe mbeten me dallime të rëndësishme mes tyre veçanërisht midis Kinës dhe Indisë tendenca është e qartë: po ndërtohet një bosht i ri gjeopolitik që sfidon dominimin amerikan.

Kolumnisti i BBC-së, James Landale, shkruan se demonstrimi i fuqisë politike dhe ushtarake nga Kina nuk ka qenë i papritur për liderët perëndimorë. Xi Jinping ka vite që ndjek një vizion për të riformësuar arkitekturën globale, duke zëvendësuar institucionet dhe parimet që lindën pas Luftës së Dytë Botërore.

Por, sipas tij, dy elementë përbëjnë shqetësim për Perëndimin. Së pari, ritmi me të cilin Kina po mbush hapësirat që SHBA ka lënë bosh në arenën ndërkombëtare, duke imponuar një model ku stabiliteti dhe zhvillimi ekonomik mbizotërojnë ndaj të drejtave të njeriut dhe parimeve demokratike. Së dyti, është afrimi gjithnjë e më i dukshëm i Indisë me Kinën, i nxitur pjesërisht nga tensionet tregtare me SHBA-në, gjë që mund të ndryshojë balancat strategjike në Azi.

Megjithatë, siç thekson Landale, përçarjet e brendshme sidomos mes Kinës dhe Indisë për çështje territoriale mbeten një faktor frenues për një unitet të plotë. India mungoi në paradën e së mërkurës, duke treguar se nuk është plotësisht në një linjë me Pekinin.

Në fund, përpjekjet e Amerikës për t’u fokusuar në vetvete, nën moton “America First”, i kanë ofruar Kinës një dritare të artë për të rritur ndikimin e saj global. Xi Jinping, me shkathtësi politike dhe propagandë të kujdesshme, duket se po e shfrytëzon këtë moment historik për të rikonfiguruar rendin botëror me Pekinin në qendër të tij.