Pranë kufirit me Rusinë, në veri të Polonisë, qindra qytetarë po mësojnë të gërmojnë llogore dhe të manovrojnë pajisje ushtarake.
Frika nga një përplasje e mundshme me Moskën po shtyn mijëra polakë të regjistrohen në programe vullnetare stërvitjeje ushtarake, raporton “Reuters”.
Agnieszka Jedruszak, një administratore zyre nga Braniewo, ishte mes atyre që morën pjesë në një trajnim pranë bazës së tankeve koreano-jugore K-2, të blerë nga Polonia në kuadër të një marrëveshjeje madhore bashkëpunimi ushtarak.“Do të bëja gjithçka për ta mbrojtur djalin tim. Dua të jem gati për çdo skenar,” tha ajo, me uniformë dhe fytyrën e lyer me ngjyra kamuflazhi.
Sipas kolonel Grzegorz Wawrzynkiewicz, kreu i Qendrës Qendrore të Rekrutimit Ushtarak, mbi 20 mijë qytetarë janë regjistruar për trajnim vullnetar në shtatë muajt e parë të vitit 2025.
Deri në fund të vitit, numri i atyre që do të përfundojnë kurset pritet të arrijë 40 mijë, dyfish në krahasim me vitin 2022. Kjo valë interesimi lidhet drejtpërdrejt me pushtimin rus të Ukrainës dhe tensionet e fundit, si rrëzimi nga Polonia i disa dronëve rusë në hapësirën e saj ajrore këtë javë, një precedent brenda NATO-s.
Qeveria e Donald Tusk ka dyfishuar buxhetin e mbrojtjes, nga 2,2% e PBB-së në 4,7% këtë vit, duke e bërë Poloninë anëtaren me përqindjen më të lartë të shpenzimeve ushtarake në NATO, përpara Gjermanisë, Francës e Britanisë.
Frika nga lindja ka shtyrë gjithashtu nisjen e projektit “East Shield”, një linjë fortifikimesh 640 km përgjatë kufijve me Bjellorusinë dhe enklavën ruse të Kaliningradit. Po ashtu, njësitë ushtarake po zhvendosen drejt lindjes, duke krijuar vende pune dhe duke forcuar praninë pranë zonave të rrezikuara.
Trajnimi vullnetar nuk i obligon pjesëmarrësit të marrin armët në rast lufte, por u ofron mundësi të kalojnë në shërbimin aktiv, në Forcat e Mbrojtjes Territoriale (WOT) ose të mbeten në rezervë. Struktura fleksibile synon të ndërtojë një kapacitet të shkallëzueshëm, i ngjashëm me modelet e Lituanisë dhe Gjermanisë.
Teksa Rusia ka njoftuar rritjen e ushtrisë së saj në 1,5 milionë efektivë, Polonia ka kaluar nga vendi i nëntë në NATO më 2014, në ushtrinë e tretë më të madhe sot, pas SHBA-ve dhe Turqisë, me 216 mijë personel aktiv. Qeveria synon ta rrisë numrin me një të tretën në dekadën e ardhshme, pavarësisht sfidave demografike.
Ekspertët e mbrojtjes theksojnë se përgatitja e rezervave është po aq e rëndësishme sa teknologjia moderne.
“Në çdo konflikt, rezervat janë ato që bëjnë diferencën, veçanërisht në plan afatgjatë,” tha për Reuters kolonel Pawel Wronka nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Polake.
Në shkurt, kryeministri Tusk prezantoi një program të ri që synon të trajnojë 100 mijë vullnetarë deri më 2027, duke paralajmëruar se Polonia duhet të përgatitet jo vetëm për kërcënimet aktuale, por edhe për ato që mund të shfaqen në të ardhmen.