Pas dy vitesh me gënjeshtra të pandërprera publike, Belind Këlliçi dhe Jamarbër Malltezi pranojnë edhe sot, për herë të tretë radhazi përpara Gjykatës Penale të Tiranës, ku i kam kallëzuar për fyerje dhe shpifje, se nuk kanë në dorë asnjë provë kundër meje. Në këtë proces penal, për t’u shpallur të pafajshëm, dy “luftëtarët” e PD-së duhet të vërtetojnë se akuzat ndaj meje janë bazuar në prova konkrete, prova që u takon atyre t’i paraqesin në sallën e gjyqit, por që vetë e pranojnë se nuk i zotërojnë.

“Carlo Bollinon e kemi kallëzuar në SPAK dy herë dhe kështu provat duhet t’i kërkoni në SPAK” i përsëritën edhe sot gjyqtares, ashtu siç bënë edhe në dy seancat e mëparshme. Për “prova”, ata kanë parasysh kopjet e dy kallëzimeve të dorëzuara kundër meje në SPAK, të cilat në realitet nuk provojnë asgjë, përveçse përmbajnë të njëjtat shpifje dhe pretendime të pabazuara për të cilat unë i kam kallëzuar. Por çuditërisht, as këto kopje letre nuk duan t’i paraqesin. Fotokopjet e kallëzimeve që kanë depozituar në SPAK duket se i kanë humbur, dhe tani gjyqtarja duhet t’i shkruajë zyrtarisht SPAK-ut për të kërkuar.

Mungesa edhe vetëm e një dokumenti për t’ia dorëzuar gjykatës, vërteton se as në momentin kur i hodhën ato akuza (duke përfshirë dorëzimin e kallëzimit), nuk kishin asnjë fakt në dorë. Vetëm kjo mjafton për të provuar fajësinë e tyre: fyrës dhe shpifës profesionistë, që hedhin baltë mbi të tjerët në mënyrë të papërgjegjshme, pa u shqetësuar fare për të vërtetën. Është metoda klasike e Berishës (për të cilën ai është dënuar tashmë për shpifje) që ata e ndjekin si klone të vegjël të tij.

Situata bëhet komike kur dëgjon Këlliçin, i cili edhe sot pas seancës fliste për kamerën e Syri tv sikur të ishte ai paditësi (kur në fakt jam unë), e jo i pandehuri. I veshur me një kostum me vija si në Chicagon e viteve ’30 dhe me kyçet e këmbëve zbuluar, deputeti i ri i opozitës pa asnjë votë, këmbëngul me pozicionin e tij absurd: “Qëndrimeve tona s’u lëvizim, kemi të bëjmë me një rast afere të grabitjes së truallit në mes të Tiranës, duke lënë Njësinë 7 pa shkollë e 70 mijë banorët pa çuar fëmijët në shkolla. Carlo Bollino ka grabitur një truall publik për të ngritur një televizion privat, që linçon opozitën… Më 11 korrik kemi depozituar një kërkesë në SPAK, ku kemi kërkuar informacion për dy kallëzimet e depozituara nga 2 deputetë të PD… SPAK po kryen veprimet hetimore dhe ka bashkuar dy kallëzimet në një, deri sa të marrin përgjigje ne do të vijomë të paraqitemi në Gjykatën Penale” tha Këlliçi.

Po ku janë provat që duhet të paraqesin për të vërtetuar se unë jam “grabitës”? Ku janë dokumentet që i duhen për të vërtetuar se toka që unë e kam marrë me qira (dhe jo në pronësi, siç gënjejnë përditë), ka qenë e familjes Malltezi? Si e vërtetojnë që ajo tokë, familja Malltezi ia ka dhuruar bashkisë për të ndërtuar një gjimnaz? Dhe pse gjimnazi nuk u ndërtua nga Lulzim Basha, që drejtonte bashkinë në kohën kur unë nuk e kisha marrë ende tokën me qira? Ku i ka çifti Këlliçi–Malltezi provat e fajësisë sime, që u duhen për të shpëtuar nga dënimi? Po t’i kishin, do t’i kishin treguar. Por është e qartë se nuk i kanë, sepse shpifjet nuk mund të provohen kurrë.

Janë dy vjet që përsërisin këtë gënjeshtër të truallit, të shkollës, të pronës së familjes Malltezi etj etj, por gjithçka është thjesht një akt qesharak hakmarrjeje politike i orkestruar nga familja Berisha kundër një mediaje dhe një gazetari që nuk e kontrollojnë dot. Edhe kjo shpifje, që unë e kam demaskuar me dhjetëra herë, ka ndikuar që ata të humbasin zgjedhjet e 11 majit, por ata, si kamikazë, vazhdojnë pa turp dhe pa ndjenjë përgjegjësie në pritje të humbjes tjetër të radhës.

E vetmja risi është se tani Belind Këlliçi flet si deputet (edhe pse është zgjedhur nga një listë e mbyllur dhe nuk ka marrë asnjë votë), dhe kështu që nga sot e tutje, gjykata kompetente për të shqyrtuar shpifjet dhe fyerjet që ai artikulon ndaj meje është SPAK. Unë kam tashmë gati një dosje të re për të, dhe po mbledh prova të reja që do ta çojnë drejt një procesi tjetër gjyqësor, prova që, ndryshe nga ai, unë nuk i humbas.