Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, e cilësoi lajm të mirë që gratë shqiptare kanë nivel të lartë përfaqësimi në politikë.
Ajo theksoi se kur gratë zgjidhen në nivele të larta drejtimi është padiskutim lajm i mirë, por shtoi se kjo nuk është risi për Shqipërinë.
Gjatë intervistës me gazetarin Sokol Balla në emisionin “Real Story”, kryediplomatja shqiptare u shpreh Shqipëria është sot vendi ku më shumë se 50 % e qeverisë janë gra.
Pjesë nga intervista:
Sokol Balla: Besoj është një lajm i mirë për gratë shqiptare, pra që marrin poste të rëndësishme si ky i diplomacisë pasi nuk është thjesht çështje imazhi është çështje komunikimi.
Ministrja Elisa Spiropali: Është gjithmonë lajm i mirë, besoj unë kur gratë ia mbërrijnë të jenë në pozita të tilla drejtimi, por nuk besoj se është një risi për Shqipërinë. Shqipëria është vendi ku në fund të fundit, 70 për qind e qeverisë para pak viteve ishte e përbërë nga gra. Shqipëria është sot vendi ku më shumë se 50 % besoj e qeverisë jemi gra.
Sokol Balla: Besoj jeni më shumë se 50..
Ministrja Elisa Spiropali: Kemi edhe Diellën. E dija që do ta përfshije Diellën në këtë kalkulim
Sokol Balla: Duhet të jetë algoritmi më I shpeshtë I dy javëve të fundit por jo vetëm në Shqipëri
Ministrja Elisa Spiropali: Parlamenti sot është i përbërë nga 30 për qind gra dhe në të gjitha nivelet e drejtimit në administratën shqiptare nuk është më asnjë lloj surprizë të kesh gra në drejtim. Aq shumë sa po të tregoj një episode familjar dhe personal. Kur vajza ime Nalta pa një nga kolegët e mi ministra në ekran më pyeti kush është xhaxhi. Në atë kohë ishte ministri i Brendshëm dhe me tha çudi, nuk janë gra ministrat. Pra, përfaqësimi ka rëndësi.
Sokol Balla: Dhe çudia ndodhi apo jo me kabinetin e ri. Ministri i Brendshëm është tashmë sërish një grua.
Ministrja Elisa Spiropali: Po për herë të parë dhe e uroj shumë Albanën ashtu siç uroj edhe kam respektin më të madh edhe për dy pararendëset e mia në ministri të jashtme, Olta Xhaçka dhe Arta Dade, janë vërtetë dy zonja që i kanë dhënë dinjitet atij institucioni ashtu si edhe kryetarja e Parlamentit Lindita Nikolla të cilën unë e zëvendësova është një grua që jo vetëm ishte në atë kohë kryetare e parlamenti, por që me një urtësi dhe butësi të posaçme ia mbërriti që në një kohë shumë të vështirë për parlamentin shqiptar të ruante ekuilibrat e shumë e shumë gra të tjera që unë nuk kam as kohën as mundësinë këtu t’i përmend të gjitha, por të gjitha arritjet e grave besoj janë një shumatore e grave që kanë qenë përpara tyre. Ne qëndrojmë mbi shpatullat e të gjitha atyre që nuk e kanë patur fort të lehtë më parë dhe nuk ka qenë fort e lehtë të jesh grua në Shqipëri. Dhe le më të jesh një grua që fiton besim apo një grua në drejtim dhe këtë dua ta them pa asnjë rezervë që një gjë për të cilën jam shumë krenare për forcën që përfaqëso PS, është mundësia që kryetari I saj dhe kjo forcë politike se ndryshe nuk mund të bëhej, duhet të kishte edhe mbështetjen e strukturave të tjera apo gjendjes sociale brenda PS ka pranuar që gratë të jenë në të gjitha këto pozita. Dhe pa diskutim që është edhe meritë e këtyre grave që kanë treguar në drejtim integritet edhe profesionalizëm.
Sokol Balla: E prapë nuk i shpëtoni dot paragjykimeve, le të themi herë pas here ndesheni.. gjithmonë është ideja, nuk zgjidhen se janë të afta por se janë besnike
Ministrja Elisa Spiropali: Besnikëria është një virtyt të cilën unë e çmoj shumë personalisht. Luajaliteti, është domosdoshmëri të paktën në këto marrëdhënie për të patur integritet të plotë dhe një lloj besnikërie që shpesh mund të jetë edhe fake, fals apo thjesht e kohës për t’ja hedhur. Besoj fort te luajaliteti dhe besoj që gratë janë në shumicën e tyre luajale./abcnews.al