Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka dorëzuar një kërkesë zyrtare për interpelancë urgjente me Kryeministrin Edi Rama, lidhur me një takim të dyshuar të zhvilluar në Aruba në vitin 2019, mes përfaqësuesve të qeverisë shqiptare dhe eksponentëve të krimit të organizuar.

Kërkesa është firmosur nga 7 deputetë të opozitës, Sali Berisha, Gazment Bardhi, Jorida Tabaku, Agron Gjekmarkaj, Luciano Boci, Ina Zhupa dhe Flamur Noka.

Sipas PD-së, në këtë takim të zhvilluar në ishullin Aruba, territor i Mbretërisë së Hollandës, janë diskutuar plane investimi që lidhen me ndërtimin e një kulle në Tiranë, në pronësi të grupeve kriminale, me pjesëmarrjen e personave të afërt me kryeministrin Rama.

Kjo kërkesë mbështetet në një seri raportesh dhe investigimesh nga mediat italiane dhe autoritetet ndërkombëtare, përfshirë Prokurorinë Antimafia të Italisë dhe Policinë Gjermane. Emrat që përmenden përfshijnë Artur Shehun dhe Genci Hamzain – të dy të njohur për lidhje me trafikun ndërkombëtar të drogës dhe pastrimin e parave.

Në qendër të akuzave janë dyshimet se përmes lidhjeve politike, këto individë kanë përfituar leje ndërtimi, prona publike dhe fonde shtetërore për të legjitimuar paratë e pista në sektorin e ndërtimit.

PD kërkon që kryeministri Rama të japë shpjegime të drejtpërdrejta për:

Takimin e dyshuar në Aruba dhe përfshirjen e eksponentëve të qeverisë;
Marrëdhëniet e mundshme me Artur Shehun;
Lejet dhe përfitimet e dhëna ndaj personave të lidhur me krimin;
Masat konkrete të marra nga qeveria për të ndalur ndikimin e krimit të organizuar në ekonomi.

Opozita thekson se shqetësimet janë konfirmuar edhe nga Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin 2025, ku thuhet se ekonomia shqiptare është e ndjeshme ndaj ndikimit të krimit të organizuar dhe pranisë së të ardhurave të paligjshme nga trafiku i drogës në treg.

PD kërkon që kjo interpelancë të përfshihet si pika e parë e rendit të ditës në seancën plenare të ardhshme dhe që kryeministri të japë sqarime para Kuvendit dhe opinionit publik.