Ditën e sotme, ministrat e rinj të qeverisë ‘Rama 4’ u betuan në Presidencë, duke marrë kështu detyrën zyrtarisht. Në lidhje me këtë, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Elisa Spiropali, ka postuar disa foto nga takimi ku Igli Hasani i lë stafetën në krye tësaj ministrie.

Spiropali shkruan në rrjetet sociale se së bashku me Hasanin, do të çojmë përpara objektivin strategjik për Shqipërinë në BE.

“E nderuar të marr detyrën nga miku dhe kolegu Igli Hasani, përvoja dhe ekspertiza e të cilit do të jenë një vlerë e shtuar në Komisionin Parlamentar për Europën dhe Punët e Jashtme.

E bindur që edhe me angazhimin e tij si Kryetar i Komisionit do të çojmë bashkërisht përpara, objektivin strategjik të shtetit shqiptar për Shqipërinë Europiane”, shkruan Spiropali.

Ndërsa po ashtu edhe Igli Hasani, në një postim në Facebook, ka uruar Spiropalin për detyrën. Më tej, Hasani shkruan se është e rëndësishme që udhëheqja e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian të vazhdojë, me një bashkëpunim të ngushtë mes qeverisë dhe Kuvendit.

“Sot i kalova zyrtarisht stafetën e drejtimit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme koleges time Elisa Spiropalit.

Kam besim se reformat dhe proceset që kemi nisur dhe çuar përpara me stafin e Ministrisë gjatë dy viteve të fundit do të vazhdojnë të jenë prioritet edhe nën drejtimin e ri: finalizimi i Ligjit të ri për Shërbimin e Jashtem, tashmë i përfunduar e që së shpejti do të paraqitet në Kuvend; konsolidimi i strukturës së re të Ministrisë; përmirësimi i vazhdueshëm i shërbimeve konsullore për qytetarët tanë jashtë vendit; zbatimi dhe forcimi i standardeve të emërimeve mbi bazën e meritës dhe profesionalizmit; rritja e përfaqësimit të grave në diplomaci; hapja dhe forcimi i përfaqësive të reja në vende strategjike; fuqizimi i pasaportës shqiptare; si edhe zbatimi i një qasjeje më të thjeshtuar dhe efektive në punën e MPJ-së.

Po aq e rëndësishme është që udhëheqja e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian të vazhdojë me një bashkëpunim të ngushtë mes qeverisë dhe Kuvendit. Është bindja ime se rrugëtimi ynë drejt BE-së nuk është detyrë e një ministri, e një ekipi apo e një institucioni të vetëm – por një projekt kombëtar, i bazuar në transparencë, konsultim të gjerë dhe besueshmëri.

Ministres Spiropali i uroj sukses në këtë përgjegjësi të rëndësishme. Në rolin tim të ri si Kryetar i Komisionit për Punët e Jashtme dhe Integrimin Evropian në Kuvend, do të vijoj me të njëjtin përkushtim për ta mbështetur dhe çuar përpara objektivin strategjik për bashkimin sa më të shpejtë të Shqipërisë me familjen e saj të natyrshme Evropiane”, shkruan Hasani në Facebook.