Përkufizimi i lirisë, sot, për ne bashkëkombësit e Nënë Terezës mbetet të bësh çfarë të duash, paçka se ke hyrë në hapësirën e lirisë së tjetrit, që mund të jetë konjukturalisht, politikisht, ekonomikisht, fizikisht më i dobët. Dhe, më i forti sot e ngre kullën ku të dojë në kryeqytet, paçka se i vë dërrmën një pjese të trashëgimisë (Tirana e Durrësi janë të mbathur me raste të tilla); mund të marrë leje në çfarëdo hapësire, edhe pse mund të jetë mu midis Zonave të Mbrojtura; t’ia jep pa asnjë mëdyshje votën nëse ta kërkon (rasti i Ramës me kërkesat për shkarkimet në pushtetin lokal dhe ‘gatishmëria’ e verbër e detashmenteve të drejtorëve të PS-së; rreshtimi i këshilltarëve socialistë të Bashkisë së kryeqytetit); e pasoja e të gjithës: verbëria dhe dorëzimi qesharak i lirisë. E PS-së konsiderohet si “disiplinë” dhe “unitet”, e njerëzve të PD-së përballë humbjes dhe përsëritjes së pushtetit të Berishës, duke ia dorëzuar vullnetarisht dhe me emfazë pushtetin, interpretohet si “boshllëk” dhe “mundësia e vetme” ndaj liderit historik. Kjo tregon se e gjithë ajo që ndodhi në komunizëm nuk është se u kultivua thjesht e vetëm aty, por nga një devijim shumë më i thellë i individit shqiptar ndër shekuj. Të mjafton të shikosh epistolarët dhe letrat e shqiptarëve të kohërave të ndryshme kupton raportin e lirisë dhe përballjen tonë me të drejtën. Paradoksi është se jemi në shekullin XXI dhe tashmë në pragun e anëtarësimit në BE.
Propaganda alla Ramë po ia jep një dorë shndërrimit të lirisë duke ia mbytur konceptin e vërtetë dhe në tri mandate arriti të na trullosë me lugën bosh. Zyrtarët kanë premtuar se në vitin 2027, Samitin e NATO-s, një nga aktivitetet më të mëdha të historisë shqiptare organizuar në kryeqytet, do jemi duke e mbrojtur në hapësirën tonë me dronët “Made in Albania”; do kemi një pistë me parametrat e Federatave të Automobilizmit për garat ndërkombëtare elitare; një vend që do kemi Inteligjencën Artificiale si në pak vende dhe mjekët më elitarë në shëndetësi… Dhe, sa shumë gjëra të tilla syresh. E ndërkohë që vazhdon e flitet për shëndetësinë falas dhe madje edhe për një fakultet tjetër mjekësie, Shqipërisë i largohen plot 350 mjekë çdo vit. Statistikat e INSTAT-it thonë se krahasuar vetëm me të njëjtën hapësirë kohore të vitit të shkuar, i ka firuar edhe gati 0.9 % e fuqisë punëtore. Nuk po adresojmë shqetësimin e mjedisit, ku nuk kemi guxim që të themi se liria jonë është cenuar frikshëm. Nuk mjaftojnë 5 miliardë euro për të ekuilibruar disi sfidat mjedisore dhe nuk dihet sa miliardë të tera, që llogaritur sipas Bankës Botërore, kërkohen për sfidat e ndryshimeve klimaterike. E për të gjitha vërtetë flitet por gjithnjë e më pak dëgjohet. Ka shumë liri për të folur, por gjithnjë e më pak liri për t’u dëgjuar. Qytetari shqiptar i kërkon shtetit dhe Bashkisë që t’i japë ujë Tiranës, Rama merret me këshilltarët e Velisë që të heqin vetë Velinë. Ky i fundit në paradoksin e madh të asaj që i dha shqiptarëve dhe të akuzave marramendëse që duhet t’i sfidojë në gjyqin e afërt. Por shqetësimi më i madh për të gjithën është se kësaj propagande shqiptarët po i përkulen gati duke hequr vullnetarisht dorë nga liria. Ne tashmë jemi qesharakë jo thjesht sepse ankohemi, por votojmë sërish për të njëjtët njerëz dhe për të njëjtën status quo. Një nënshtrim i tillë të bën të kujtosh kohën kur një gjendje e tille nuk ishte edhe në socializëm, kur rreziku i penalitetit ishte i egër dhe i pamëshirë. Atëherë liria ishte e kufizuar, sot është bërë e pakuptimtë dhe absurde. Zvetënimi i shqiptarit po merr trajta të frikshme dhe po kalon deri te grotesku. Një nga fazat e fundit të zvetënimit moral, që po i ndodh shoqërisë sonë.