Një libër i ri mbi familjen mbretërore britanike ka zbuluar se Mbretëresha Camilla është përballur me një ngjarje të vështirë në adoleshencë, kur një i panjohur e sulmoi në një tren.
Fragmentet e librit Power and the Palace, i autorit Valentine Low dhe i publikuar në The Times më 31 gusht, tregojnë se Camilla, tani 78 vjeçe, i rrëfeu historinë për Boris Johnson-in në vitin 2008, atëherë kryebashkiak i Londrës, gjatë një takimi në Clarence House.
Sipas Guto Harri-t, ish-drejtor komunikimi i Johnson-it, Camilla ndau një episod personal nga rinia e saj për t’i shpjeguar rëndësinë e hapjes së tre qendrave krize për viktimat e përdhunimit në Londër.
“Biseda serioze që ata patën ishte për faktin që ajo ishte viktimë e një tentative përdhunimi kur ishte nxënëse,” shkruan Low në libër.
“Ajo ishte në tren drejt Paddington-it, rreth 16-17 vjeç dhe një burrë po lëvizte dorën drejt saj… Në atë moment, Johnson pyeti çfarë ndodhi më pas. Ajo iu përgjigj: ‘Bëra atë që më kishte mësuar nëna ime. Hoqa këpucën dhe e godita…’”
Harri shtoi: “Ajo ishte aq e qetë sa kur mbërriti në Paddington, zbriti nga treni, gjeti një polic dhe tha: ‘Ai burrë sapo më ngacmoi,’ dhe ai u arrestua.”
Mbretëresha Camilla ka bërë prej kohësh mbështetjen e viktimave të përdhunimit, dhunës në familje dhe keqtrajtimit seksual një nga prioritetet kryesore të aktivitetit të saj publik.
Pallati Buckingham nuk ka komentuar mbi këtë rrëfim./