Në zemër të maleve të egra të Abruzzos në Italinë qendrore, ndodhet një fshat i vogël, ku koha duket se ka ndalur. Në rrugicat me kalldrëm të Scannos, një grua 94-vjeçare vazhdon të mbajë gjallë një trashëgimi që po shuhet me kalimin e viteve.
Margherita Ciarletta, e njohur nga vendasit si “L’Ultima Regina”, Mbretëresha e Fundit, është gruaja e fundit në fshat që vesh çdo ditë rrobat tradicionale të Scannos. E fortë, e mençur dhe e pavarur, Margherita ka zgjedhur të qëndrojë besnike ndaj zakoneve të saj që nga mosha 18-vjeçare, raporton CNN Travel.
“Kam qenë gjithmonë krenare për këtë veshje“, thotë ajo.
Me një fustan të errët leshi, mëngë të gjata dhe një shami pambuku, ajo përfaqëson një epokë që për shumicën ka mbetur vetëm kujtim. Vizitorët e shumtë që vijnë në Scanno nuk kërkojnë vetëm pamjet mahnitëse të maleve apo kishat e stolisura. Ata kërkojnë “Nonna Margherita-n” për të bërë një foto me të. Por për vetë Margherita-n, fama është diçka që e pranon me kufij të qartë: “Unë nuk jam yll. Jam thjesht një gjyshe e zakonshme që ruan rrënjët e veta”, shprehet ajo.
Ajo jeton në shtëpinë prej guri, ku ka banuar që nga viti 1950. Çdo mëngjes kujdeset për kopshtin, pastron shtëpinë dhe gatuan specialitetet e zonës si gnocchi me lakra, një recetë tradicionale e dashur nga nipërit e mbesat e saj, të cilët kujdesen me dashuri për të.
Pas vdekjes së dy motrave të saj, të cilat gjithashtu vishnin rrobat tradicionale, Margherita mbeti e fundit që e mban këtë traditë gjallë çdo ditë. Sot, ajo është një simbol i një kulture që po rrezikon të harrohet.
Zyrtarët lokalë po përpiqen të regjistrojnë veshjet tradicionale të Scannos si trashëgimi kulturore jomateriale në UNESCO, një përpjekje për të mbrojtur atë që Margherita e ka mbrojtur me jetë: kujtesën kolektive të një populli.
“Kam punuar gjithë jetën në fusha dhe me bagëti. Ishte jetë e vështirë, por ishim gjithmonë së bashku. Sot jam më mirë fizikisht, kam kohë për veten, dhe më në fund kam mësuar çfarë do të thotë të pushosh”, shprehet 94-vjeçarja.
Edhe pse ndonjëherë ndjen mungesën e komunitetit që dikur e rrethonte, Margherita nuk është as nostalgjike e as e trishtuar. Ajo përqafon të tashmen, ndërsa ruan me krenari të kaluarën.