San Siro është gati t’u shitet Interit dhe AC Milanit, të cilët do të jenë në gjendje të punojnë në muajt e ardhshëm për ndërtimin e një stadiumi të ri në vendin e parkingut aktual dhe prishjen e pjesës më të madhe të stadiumit Meazza.

Këshilli i Qytetit të Milanos e mori vendimin vonë natën, pas një seance të gjatë që filloi në orën 16:30 dhe përfundoi në orën 03:50. Votimi, siç pritej, ishte shumë i ngushtë, 24 vota pro, 20 kundër. Shitja nuk është finalizuar ende, por do të finalizohet së shpejti, përveç nëse ka ndonjë surprizë të madhe nga bankat në 40 ditët e ardhshme.

Afati për mbylljen e procedurave është më 10 nëntor, ndërsa vlera që do të paguajnë dy klubet është 179 milionë euro.

Pagesa do të bëhet me këste, ndërsa do të nisin punimet së shpejti për ndërtimin e impiantit të ri që pritet të përfundojë në vitin 2031.