“Vetëm harresa nuk mund të jetë mbi këtë emër”, me këto fjalë, aktorja Marjeta Larja ka nderuar kujtimin e regjisorit Dhimitër Anagnosti, gjatë homazheve të mbajtura sot në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Ndarja nga jeta e mjeshtrit të kinemasë shqiptare ka sjellë një reagim të gjerë në komunitetin artistik.

“E kam njohur shumë mirë, ka qenë mjeshtër, e themi me zë të plotë. Më vjen keq që largohet dhe po lë kaq shumë gjëra, saqë vetëm harresa nuk mund të jetë mbi këtë emër dhe mbi këtë mjeshtër kaq të madh e familjen e tij të bukur.” – u shpreh Larja, e cila vetë mban titullin “Artiste e merituar” dhe është bashkëshortja e aktorit të ndjerë Rikard Larja, “Nderi i Kombit”.

Regjisori Dhimitër Anagnosti, një prej figurave më të mëdha të kinemasë shqiptare, është ndarë nga jeta. Ai mbante titujt “Artist i Popullit” dhe “Nderi i Kombit” dhe është autor i disa prej filmave më të rëndësishëm të kinematografisë shqiptare, si “Lulëkuqe mbi mur”, “Gurët e Shtëpisë time”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur” dhe “Gjoleka, i biri i Abazit”.

“E kemi pasur të shembur gjithmonë një njeri shumë serioz, këmbëngulës, nuk e di si do të vijnë brezat dhe se si do ta kujtojnë, por filmat e tij do të jenë të paharruar,” – tha Larja, duke nënvizuar trashëgiminë e pashlyeshme që Anagnosti lë pas në kulturën shqiptare.