Deputeti i LDK-së Avdullah Hoti, ka reaguar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për të ndërprerë Dialogun Strategjik me Kosovën, duke e quajtur atë një goditje të rëndë me pasoja afatgjata, nëse nuk ndryshon kursi politik në vend.
“Goditja që mori dje shteti i Kosovës nga ndërprerja e dialogut strategjik Kosovë-SHBA do të ketë pasoja afatgjata nëse nuk ndryshon kursi i zhvillimeve politike. Të mos harrojmë se jemi edhe nën masa financiare të BE-së për më shumë se dy vjet.”
Ai kritikoi Presidenten Vjosa Osmani, duke thënë se vendimi i ShBA-së do të ishte i shmangshëm nëse ajo do të kishte përmbushur detyrimin kushtetues për të mbrojtur Kushtetutën, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, institucionet e drejtësisë, gazetarët, bizneset dhe komunitetet pa dallim nga presioni i deputetit Albin Kurti dhe Vetëvendosjes.
“Ky vendim i SHBA-së do të ishte i shmangshëm sikur Presidentja Osmani ta kishte përmbushur detyrimin e saj kushtetues, duke marrë përgjegjësinë për të mbrojtur Kushtetutën dhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, institucionet gjyqësore e prokuroriale, gazetarët, bizneset dhe komunitetet pa dallim nga sulmet dhe presioni i Kurtit dhe Vetëvendosjes. Në vend të kryerjes së obligimit të saj kushtetues, Osmani në vazhdimësi zgjidhte heshtjen ose radhitej pas Kurtit”, – shtoi Hoti.
Sipas Hotit, vendimi i Uashingtonit është një “zile e re alarmi” për ata që mbajnë përgjegjësi politike dhe institucionale, të cilët, sipas tij, “vitet e fundit Kurti i ka tërhequr zvarrë drejt narratives së tij populiste popullizmit të mbrapshtë që solli këtë vendim të SHBA-së”.
“Ky vendim i SHBA-së është zile e re alarmi për ata që bartin përgjegjësi institucionale apo politike, shumë prej të cilëve viteve të fundit Kurti i ka tërhequr zvarrë drejt narratives së tij të popullizmit të mbrapshtë që solli këtë vendim të SHBA-së.
Zilja ra sërish dhe shumë fuqishëm. Nesër, kur mund të bëhet vonë, askush nuk mund të thotë se nuk u zgjua ngase nuk i ra kush ziles. Zilja kishte rënë edhe në fillim të vitit 2020. Atëherë, LDK-ja zgjodhi partneritetin me SHBA-në para ruajtjes së pozitave qeveritare.”