Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka kërkuar masë displinore për avokatin e Ilir Metës, Kujtim Cakranin, pasi ka lejuar ish-presidentin që ndodhet në paraburgim prej tetorit të vitit të kaluar, të komunikojë me mediat nëpërmjet telefonit të tij.
Në kërkesën drejtuar Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Burgjet akuzojnë avokatin se ka shkelur rregullat, pasi ka lejuar që Ilir Meta të realizojë një audio-intervistë nga ambientet e paraburgimit.
“Veprimi i avokatit z. Kujtim Cakrani perbën tejkalim te rolit te tij si përfagësues ligjor, duke mundësuar një komunikim publik përmes një procedure jashtë kuadrit formal të miratimeve institucionale. Ai ka anashkaluar procedurat ligjore të kerkimit të miratimit nga organet përkatëse, duke e vendosur institucionin e paraburgimit përpara një fakti të kryer në mënyrë arbitrare dhe të paautorizuar. Kjo sjellje cënon rëndë rendin dhe sigurinë në sistemin penitenciar dhe parimin e barazisë përpara ligjit për të gjithë të paraburgosurit.
Për këto arsye, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në referim të nenit 39 dhe neni 40 te Ligjin Nr. 55/2018 “Për profesionin e avokatit ne Republikën e Shgipërisë” kërkon nisjen e një procedure disiplinore ndaj avokatit z. Kujtim Cakrani. Pas vlerësimit dhe trajtimit nga ana juaj, kerkojmë të na informoni lidhur me vendimarrjen dhe masën e dhënë ndaj avokat z. Kujtim Cakrani.
Bashkëlidhur po ju dergojmë ne shtojcën 1, transkriptin e bisedes së zhvilluar në emision”, thotë Drejtoria e përgjithshme e Burgjeve, e cila kërkesën për masë disiplinore ia ka nisur Dhomës Kombëtare te Avokatisë.