Deputeti i PD-së, Xhelal Mziu thotë së shpërthimi me tritol në murin rrethues në vilës së tij në Kamëz ka prapavijë politike. Në një konferencë për mediat, së bashku me Berishën, Mziu tha se nuk ka konflikte me njeri dhe as borxhe, dhe se sulmi është bërë për t’i mbyllur gojën nga qeveria.

“Mbrëmë rreth orës 00:55 pranë shtëpisë sime pati një shpërthim që fatmirësisht nuk pati dëme në njerëz. Shumë njerëz e kanë dëgjuar shpërthimin e këtij tritoli. Pati dëme materiale. Jam i gëzuar që nuk pati probleme njerëzore as tek unë dhe as te kalimtarët. Nuk kam asnjë lloj konflikti me asnjë person gjatë gjithë karrierës time. Nuk kam asnjë borxh ndaj askujt. Unë e shoh një akt absolutisht politik, madje është sinjal për të treguar se nuk mundet që të sillesh apo të reagosh ndaj kësaj qeverie krimi e korrupsioni. Përveçse një hakmarrje politike, nuk e konsideroj gjë tjetër. Gjatë këtyre orëve, nuk gjejmë dot argument tjetër përveçse sinjalit për të na bërë një ushtar ndoshta të tyre dhe jo për të qenë një opozitë siç duhet por për të qenë një opozitë ndaj kësaj qeverie krimi e korrupsioni”, tha Mziu.