Ushtria izraelite është futur më thellë në qytetin e Gazës, me ushtarë dhe tanke që kanë përparuar deri në Sheikh Radwan, një nga lagjet më të mëdha dhe më të populluara të zonës urbane, raporton Reuters në faqen e saj. Në javët e fundit, forcat izraelite kanë përparuar nga periferia e jashtme e qytetit të Gazës dhe tani ndodhen vetëm disa kilometra larg nga qendra e qytetit, pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për ndaljen e ofensivës. Banorët e Gazës i kanë thënë Reuters se ushtria ka shkatërruar shtëpi dhe kampe tendash që strehonin palestinezë të zhvendosur nga lufta që vazhdon prej gati dy vitesh.
Me intensifikimin e operacioneve ushtarake të IDF-së në qytetin e Gazës, rreth 70 deri në 80 mijë banorë kanë braktisur qytetin – shumica gjatë 72 orëve të fundit, pasi vetëm gjatë fundjavës ishin larguar rreth 10 mijë vetë. Këtë e raporton televizioni publik Kan, duke cituar burime të Ministrisë së Mbrojtjes izraelite, të cilat shtojnë se Hamas po përpiqet të ndalojë lëvizjen e civilëve drejt jugut, “me qëllim përdorimin e tyre si mburoja njerëzore dhe për propagandë”. Megjithatë, dhjetëra mijëra banorë kanë arritur të kalojnë postblloqet e militantëve dhe të largohen nga qyteti.
Tokë shtetërore pranë vendbanimeve izraelite
Administrata civile e Ministrisë së Mbrojtjes së Izraelit ka shpallur “tokë shtetërore” një sipërfaqe prej 45 hektarësh, pranë avanpostit të paligjshëm Havat Gilad në veri të Bregut Perëndimor.
Kjo do të thotë se toka do të jetë në dispozicion për zhvillimin e vendbanimeve dhe infrastrukturës.
Më parë, këto toka konsideroheshin si tokë administrative e fshatrave palestinezë përreth – Jit, Tell dhe Fara’ata – megjithatë, ato nuk janë tokë private e regjistruar. Çdokush që pretendon pronësi private mbi këto toka, mund të paraqesë ankesë brenda 45 ditëve.