Një ditë më parë kreu i mazhorancës Edi Rama ka paraqitur kabinetin e ri qeveritar, drejtuesit e Kuvendit e të grupit parlamentar, si dhe ‘piketat’ nëpër të cilat do të lëvizë qeverisja e ardhshme e PS në mandatin e katërt rresht, të përputhur me axhendën e integrimit të Shqipërisë në BE!
Që në mbledhjen e Asamblesë së PS, të zhvilluar të enjten, Rama ka qënë i qartë në objektivat e tij, për këtë mandat qeverisës për Shqipërinë 2030, teksa ka paralajmëruar që të ketë riorganizim dhe reformim të disa institucioneve, përfshirë dhe Kuvendin e Shqipërisë.
Rama ka deklaruar se Kuvendi duhet të ketë maksimumi 101 deputetë dhe për të duhet të ketë një ligj të posaçëm, duhet të bëhet me urgjencë reforma territoriale dhe ajo zgjedhore, ku tek kjo reformë e dytë kërkohet me patjetër depolitizimi i administratës zgjedhore! Dhe nëse realizohen këto ndryshime, ulja e numrit të deputetëve kërkon votën kushtetuese, atëherë sërish PS krijon një bazë të rëndësishme për mbarëvajtjen e punëve në këtë vend!
Ndërkohë që Rama vuri si prioritet për mandatin e katërt luftën ndaj nepotizmit dhe mbrojtjen e drejtësisë së pavarur. Kreu i mazhoranës paralajmëroi se pavarësia e SPAK dhe GJKKO është kusht i panegociueshëm, dhe se partia e tij, PS është e vetmja garanci që kjo pavarësi të mbrohet.
Njëherësh kreu i mazhorancës paralajmëroi se PS do të vazhdojë të qeverisë edhe përtej këtij mandati, duke kërkuar jo vetëm besimin e sotëm, por edhe vazhdimësinë e të nesërmes politike në vend. Konkretisht, Rama, teksa prezantoi emrat e rinj të kabinetit qeveritar, tha se socialistët do të jenë në drejtimin e vendit për një kohë të gjatë. “PS duhet të udhëheqë edhe për shumë e shumë vjet të tjera. Përrallat që në një demokraci duhen ndërruar partitë çdo 4 vjet, lëruani atyre që tregojnë përralla. Është detyrim që ta shohim PS në krye edhe në vitin 2030, vitin 2040, edhe në vitin 2050. Ne ta shohim, domethënë ju ta shihni”, u shpreh Rama. Duke e cilësuar këtë mandat të katërt qeverisës si mandatin e parë ‘në funksion të anëtarësimit të Shqipërisë në BE’!
Dhe vetë përbërja e kabinetit të ri qeveritar ka evidentuar një qasje të qartë nga Rama, ku përvoja dhe qëndrueshmëria politike janë në qendër të vendimeve për përbërjen e kabinetit. Kjo ka bërë që emërimet e reja të mos nga prezantojnë surpriza të mëdha, por të jenë në krye të herës një reflektim i balancimit të kujdesshëm mes forcimit të dominancës politike dhe sfidave reale që vendi ka përpara, ku në krye të axhendës është anëtarësimi në BE. E në funksion të kësaj qasjeje, kabineti qeveritar u prezantua nga Rama si kulmi i eksperiencës qeverisëse, e përkufizuar nga vetë Kryeministri si ‘qeveria e 12 viteve përvojë’. Pra që përmbledh në vetëvete përvojën e tre mandateve rresht qeverisjeje të PS. Por dhe premtoi ‘opozitarizëm’ ndaj tre mandateve të kaluar!
Një skemë e tillë tregon qartë se për kryeministrin Rama, qeveria s’është thjesht një mekanizëm ekzekutiv, por një mekanizëm real për të konsoliduar e rritur influencën politike afatgjatë të PS. Përzgjedhjet në kabinet janë një sinjal i qartë se PS do të vazhdojë të mbështesë bazën e saj të besueshme, një trupë elektorale që lëviz me plus minus 800 mijë vota pro PS në çdo palë zgjedhje, në funksion të menaxhimit të tranzicioneve të brendshme si dhe sfidave të ardhshme. Duke dalë përtej të majtës në ofertën e tij në funksion të qeverisjes sa më të mirë të këtij vendi, teksa nënvizoi se nuk duhet mbyllur dera për askënd se ‘bëhet pjesë e byrekut’!
Kreu i mazhorancës socialiste, e cila ka në Kuvend 83 mandate deputeti, shtuar dhe 3 mandate të aleatit hipotetik PSD-së, prezantoi kandidaten për kryetare të bashkisë së Tiranës, Ogerta Manastirliu, në zgjedhjet e parakohëshme që do të zhvillohen pas dorëheqjes apo shkarkimit me patjetër të Erion Veliajt, i cili prej muajsh është në paraburgum nën akuzat për korrupsion! Pra Rama e hodhi ‘sfidën’ e përballjes në zemër të Shqipërisë në kryeqytet, pikërisht për pasuesin e Veliajt në krye të bashkisë së Tiranës! Përballje që PD e kishte kërkuar me kohë dhe vakt, duke protestuar madje për ditë të tëra para bashkisë, për dorëheqjen e Veliajt! Të paktën formalisht!
Pra Rama, si kreu i mazhorancës socialiste, në vigjile të fillimit të mandatit të katërt radhazi në qeverisje të vendit, prezantoi qartë dhe saktë objektivat e PS që drejton jo vetëm për këtë katër-vjeçar qeverisjeje, por dhe për një periudhë të gjatë në funksion të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, dhe përtej saj. Madje duke vënë si limit kohor qeverisjeje, përtej vitit 2040, deri më 2050. Një sfidë e qartë për politikën në Shqipëri, dhe ata që e sfidojnë PS për ta larguar nga pushteti!
Por si e priti opozita në krahun tjetër strategjinë e re të Ramës, i cili e bëri të qartë se qeverisja e vendit, tashmë në kushtet e integrimit, fillon pikërisht tani, duke paralajmëruar mandate të tjera qeverisëse, që ia ‘fikin’ shpirtin opozitës dhe opozitarëve?!
Menjëherë pas prezantimit të qeverisë së re, kreu i PD Sali Berisha, në një dalje publike pas konstituimit të grupit të tij parlamentar, lidershipi i grupit të PD janë të njejtët emra vegjetues e të pandryshuar për vite e vite me radhë dhe pa asnjë kontribut votash, të cilët vërtiten pa orientim por me sytë tek Berisha korridoreve të selisë buzë Lanës, teksa nisi sulmet emër për emër ndaj vetë Ramës dhe ministrave të tij të rinj, shpalosi strategjinë opozitare! Një strategji që nuk fliste për të ardhmen, për mënyrën se si opozita do të qasej ndaj elektoratit për të ardhur në pushtet!
Berisha sërish vijoi me denoncimin e zgjedhjeve të 11 majit, flet për të shkuarën, kërcënon se do ta rrëzojë Ramën nga pushteti me të gjitha mënyrat, megjithëse i ka provuar të gjitha mënyrat e forcës të cilat pretendon se do të aplikojë dhe këtë mandat të katërt në opozitë kundër Ramës, dhe asgjë nuk ka arritur. Vetëm njërën nuk provon Berisha, krijimin e një frymë të re lidershipi, qasjeje të re ndaj elektoratit për të ardhur në pushtet! Që do të thotë largimin e tij, pas 35 vitesh në krye të PD, që nuk mund të jetë kurrsesi më alternativa e të ardhmes. Shqiptarët nuk besojnë në rrëzimin vetë të kësaj mazhorance, thjeshtë e vetëm se PD përdor fjalor dhe mënyra të dhunshme të të bërit opozitë. Qytetarët kërkojnë alternativa të reja opozitare, që t’i ballafaqojnë dhe të vendosin pastaj për kë të votojnë! Kërkojnë nga opozita një alternativë të re që frymëzon!
Berisha kërkon që me të njejtat metoda dhe strategji që ka ndjekur për 12 vite me radhë, të cilat i kanë garantuar humbjet njëra pas tjetrës PD e opozitës, të mund të marrë një rezultat ndryshe që do ta sjellë në pushtet! Ka qënë dhe është e pamundur, pasi në asnjë cep të historisë së politikës, në Shqipëri dhe në botë, nuk gjendet një shembull që të funksionojë në këtë mënyrë, që me metoda të njejta të marrësh rezultat të ndryshëm!
Nëse mund të bëjmë një krahasim, strategjia e Berishës është si puna e atij filmit që e ke parë 100 herë, kryesisht në kohën e komunizmit ndodhte kjo, dhe sërish mendon se aktori kryesor nuk do të vdesë këtë radhë! Dhe kjo strategjia e PD është një ‘film’ i parë, i cili siç po zhvillohet mot a mot tash e 12 vite radhazi, nuk mund të ketë fund të lumtur dhe ndryshe!
Kjo lloj sjelljeje e opozitës të kryesuar nga Berisha u vu re dhe në momentin kur Rama shpalli kandidaten e PS për kreun e bashkisë së Tiranës, Ogerta Manastirliu, e cila do të garojë në zgjedhjet e parakohëshme që do të zhvillohen së shpejti, pas dekretimit nga Presidenti të datës!
Opozita dhe Berisha u zunë në befasi dhe të papërgatitur përballë këtij fakti, megjithëse kishin muaj që kërkonin shkarkimin e Veliajt dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohëshme në bashkinë e Tiranës! Për hir të së vërtetës Berisha s’ka kandidatë gati për garën, s’ka vota për Tiranën e për pasojë humbja përballë Manastirliut është e sigurtë! Diskutohet vetëm thellësia e humbjes së opozitës, ku Berisha tashmë vërtitet mes dilemës së kandidimit të Alimehmetit apo Tabakut, nëse pranon kjo e fundit të lërë mandatin e deputetit, apo një kandidati tjetër ku ‘t’ia zërë dora’. Pasi kreu i PD e do minimalisht kandidatin e opozitës sa më të dobët, më të dobët se Këlliçin, që të mos fillojë pretendimet dhe të prishë balancat në PD, me numrat që mund të fitojë në Tiranë, për të ngushtuar diferencën e humbjes sa më shumë!
Berisha e di si dreqi se garën e parakohëshme për bashkinë e Tiranës, por dhe në katër bashkitë e tjera e ka të humbur, çka përbëjnë dhe ‘kampionin’ e testit për zgjedhjet për pushtetin vendor më 2027. Prandaj ka nisur të hedhë hijen e dyshimit nëse do të marrë pjesë ose jo në zgjedhjet e parakohëshme në Tiranë, për bashkinë e kryeqytetit! Paralajmëron bojkot me një fjalë, dhe këtë qëndrim Berisha e mbajti edhe këtë të premte, në përgjigjie të interesimit të gazetarëve!
Strategjia e njejtë opozitare e Berishës dhe opozitës u pa dhe në seancën e parë konstituive të Parlamentit të ri! I njejti skenar, të njejtat deklarata, e njëjta skemë e pushtimit të foltores, i bllokimit të punës së Kuvendit, i shkuljes së mikrofonëve, i bojkotit të komisioneve dhe i mospranimit të asgjëje që ndodh në anën tjetër të sallës! E cila për hir të së vërtetës ka marrë ‘zgjerim’ dhe nga ana e rreshtave të opozitës, pasi janë 86 deputetë të majtë, PS dhe PSD, përkundër 50+4 të të gjithë deputetëve të opozitës, dhe janë të detyruar të ulen dhe në karriget e anës së ‘djathtë’ të Kuvendit! Po shtohen çdo legjislaturë të re deputetët e PS, me një fjalë!
Teksa shohim skenarët e vjetër të Berishës e opozitës, me kauza ‘mobile’ çfarë t’i dalë përpara, si dhe strategjinë e forcës që kërkon të imponojë përballë kundërshtarit politik, pa pasur numrat dhe pa patur sukses asnjëherë në këto 12 vite në opozitë, bindemi gjithnjë e më shumë se kjo opozitë do të vijojë gjatë, shumë gjatë, larg pushtetit.
E themi këtë sepse Berisha nuk ka ndërmend të bëjë një largim të butë nga drejtimi i PD, për t’i hapur rrugë një lidershipi të ri që të bëjë diçka ndryshe, të ketë një qasje tjetër ndaj elektoratit për të thithur vota! Berisha e ka drejtimin e PD jo për të ardhur në pushtet por për të përballuar hallet e tij personale me drejtësinë shqiptare por dhe me ‘non gratën’ në SHBA dhe Britaninë e Madhe! E ka parti familjare dhe as ka ndërmend të largohet nga drejtimi, thotë se është një ‘misionar’ në krye të PD. Dhe misioni i tij, e i çdo misionari, përfundon atëherë kur të ndahet nga kjo jetë! Të cilën ia urojmë ta ketë sa më të gjatë! Dhe Berisha ka mision ‘varrosjen’ e PD!
Me sa duken bathët, PS me këto arritje që do t’i shumëfishojë dhe me anëtarësimin në BE por dhe me këtë opozitë ‘kufomë’ që ka përballë, të udhëhequr nga Berisha, do të vijojë shumë gjatë në pushtet! Përtej vitit 2040, sikurse e paralajmëroi dhe vetë Rama, dhe që Berisha e quajti të rrezikshëm një deklarim të tillë! Rama e tregoi qartë ‘manualin’ e tij për të qeverisur shumë gjatë dhe akoma më mirë këtë vend, ndërsa Berisha vijon me ‘manualin’ e tij të opozitarizmit!
Ndërsa Berisha si ‘misionar’ në krye të PD, do të jetë po shumë gjatë në ‘stol’ duke pritur për të ardhur në pushtet e për t’u bërë kryeministër, me mbi 96 vite mbi supe, në krye të PD themi! Në pritje, sipas teorisë së atij njeriut të motit, që kishte dalë në krye të fshatit me faqoren e rakisë e tiganin gati në zjarr për të përdorur si meze ‘ato të dashit’, që t’i binin vetë! Priti në pafundësi ai! Ashtu do të jetë pritja dhe për Berishën dhe opozitën. Berisha pastë jetën sa më të gjatë, për të mirën e shqiptarëve!