Robert Redford ndërroi jetë më 16 shtator 2025, në moshën 89-vjeçare: Corriere ka ribotuar intervistën e janarit 2006, ku ai thoshte: “Me Newman do të bëja një film ekologjik, por ëndrra ime e vërtetë mbetet Jane Fonda. Te Sundance në vitet tetëdhjetë nuk vinte askush: ndihesha si një shitës që përpiqej të bindte njerëzit”.

Robert Redford është një njeri, të cilit i pëlqen më shumë të bëjë pyetje sesa të marrë. Në moshën 68-vjeçare, me fytyrën e shënuar si lëvorja e një peme, ruan ende kureshtjen dhe interesat e një djali të ri.
Ai është krenar kur flet për Sundance Institute, të cilin e krijoi në vitet shtatëdhjetë dhe që tashmë ka një famë ndërkombëtare. “Sot flitet shumë për kinemanë, në kuptimin e yjeve apo të spektaklit. Sundance, një organizatë jo-fitimprurëse, lindi për të kërkuar talente dhe për t’u dhënë mundësi shumë zërave të rinj. Nuk është rastësi që u ngrit në një pjesë të tokës në Utah që kisha blerë për ta shpëtuar nga çdo spekulim. Vitin e parë të Festivalit, në fillim të viteve tetëdhjetë, nuk erdhi askush. Dilja në rrugë dhe ndihesha si një njeri që u thosha të gjithëve: “Ejani të shihni këtë film të vogël, të madh”. Pastaj suksesi i Seks, gënjeshtra dhe videotape bëri që të flisnin për ne. Dhe vite më vonë mbërritën edhe tregtarët dhe paparacët”.

Ai tregon se festivali i filmit është vetëm një nga aktivitetet e Sundance Institute, i cili me kanalin e vet televiziv ka kontribuar në ringjalljen e dokumentarëve, programeve historike e gjeografike, si dhe veprave të autorëve ndërkombëtarë pak të njohur në SHBA. «Televizioni sot ka një funksion argëtimi sipërfaqësor: unë kritikoj mënyrën si përdoret… Makineria e Sundance ka një shpirt. Dhe me shpirt kam kërkuar gjithmonë ta jetoj edhe karrierën time, që sigurisht nuk ka qenë prej një superylli».
Megjithatë, prej më shumë se tridhjetë e pesë vitesh ai është dhe mbetet një yll, dhe të gjithë vazhdojnë të presin një film të tij me Paul Neëman sepse askush nuk e ka harruar Butch Cassidy, një nga sukseset e tij të mëdha, bashkë me Tre ditët e Kondorit dhe Të gjithë njerëzit e Presidentit.
Ai thotë: “Shpresoj që të rinjtë ta rishohin edhe Ashtu siç ishim me Barbra Streisand, që e konsideroj një nga punët e mia më politike, sepse ndërthurte jetën private me atë publike. Unë besoj te politika që lufton për të drejtat e njeriut, jo te pushteti i politikanëve apo i mediave. Dhe besoj mbi të gjitha te betejat për mbrojtjen e natyrës”.
Për vitet e tij të arta si aktor, thotë: “Kam pasur privilegjin ta bëj punën time kur kishte regjisorë që bënin pyetje. Mendoj për Alan J. Pakula, Arthur Penn, Sydney Pollack, George Roy Hill. Kam luajtur me aktore si Jane Fonda, shumë e talentuar: pastaj jeta e saj mori drejtime të tjera dhe gjithmonë kam ëndërruar të luaja sërish me të. Nuk besoj te konsumizmi i imazhit. Kur kam zgjedhur ndonjë aktor të ri, dhe mendoj për Scarlett Johansson që e lançova kur ishte e vogël, për Brad Pitt që e doja në krahun tim, gjithmonë kam kërkuar përputhje me një mendim. Nuk më vjen turp të them se flamuri im është zemra ime. Dhe si producent zgjedh filmat që ndjej, si Ditari i motorçikletës”.
Është i rezervuar, nuk ka folur kurrë për jetën e tij private pas divorcit nga Lola, nëna e fëmijëve të tij, me të cilët është shumë i lidhur. “Për mua të jem baba është një mënyrë e plotë e të jetuarit. Këtë e kam treguar edhe me dhimbje në Njerëz të zakonshëm, filmin tim të shpërblyer me Oscar. Edhe Amy, vajza ime më e vogël (unë vazhdoj ta konsideroj të tillë edhe pse është 35 vjeç), aktron. Por më duket se ajo parapëlqen teatrin eksperimental dhe së fundi ka aktruar off Broadëay nën regjinë e Neil LaBute. Nuk mund të jesh ‘mësues’ i askujt, por e rëndësishme është të flasësh, të përpiqesh të kuptosh, për shembull edhe rolin e mediave sot, atë të burimeve të informacionit dhe të censurave apo intimidimeve të tyre”.

Ai rrëfen se i ka pëlqyer shumë të punojë së fundmi me Paul Neëman në një pjesë të serisë së filmave dokumentarë Iconoclastes: “Kam folur me të përballë kamerës, u përpoqa t’i nxjerr atë që fsheh, arsyet e veprimtarive të tij filantropike, melankolinë e tij, qenien e tij si njeri i ndershëm. Me krenari ky film i vogël me shumë dialogë u transmetua në Sundance Channel. Do të doja të bëja një film ambientalist me të, për mbrojtjen në territoret e Perëndimit të disa specieve të rralla të shpendëve. Duhet ta bind. Jo, nuk na pëlqejnë aspak vazhdimet apo remake-t e sukseseve tona apo të të tjerëve”.
Çfarë mbetet tek Redford i sotëm nga imazhi seksi i dikurshëm? Në Propozim i pamoralshëm, për shembull, ai joshte Demi Moore. «Turpi im përballë mënyrës si makineria e spektaklit përdor punën tënde, vetveten tënde, për t’ia shitur të tjerëve».