Pas kaosit të seancës së djeshme në Kuvend, ku opozita pengoi kryeministrin Edi Rama të prezantojë programin qeverisë, delegacioni i BE në Tiranë, thotë se parlamenti duhet të jetë një forum për debat konstruktiv.

Në një reagim për Report Tv, thuhet se është për të ardhur keq që publiku shqiptar u privuan nga mundësia për t’u informuar siç duhet për programin qeverisës.

“Parlamenti duhet të jetë një forum për debat konstruktiv, ku diskutohen politika dhe paraqiten pikëpamje alternative, duke promovuar kështu një kulturë dialogu.

Në kontekstin e anëtarësimit, Parlamenti ka një rol vendimtar për të luajtur në debatin dhe miratimin e reformave legjislative që lidhen me BE-në, duke vlerësuar ndikimet e tyre dhe duke siguruar që ato të bazohen në një proces gjithëpërfshirës dhe transparent.

Debati mbi programin e qeverisë së re për katër vitet e ardhshme do të kishte ofruar një mundësi të rëndësishme për të diskutuar pikëpamje dhe qasje të ndryshme ndaj objektivit të anëtarësimit, i cili mbetet një ambicie ndërpartiake. Është për të ardhur keq që publiku shqiptar u privua nga mundësia për t’u informuar siç duhet dhe plotësisht rreth programit të Qeverisë dhe për të dëgjuar përfaqësuesit e saj të zgjedhur të diskutojnë përmbajtjen e tij, në përputhje me dispozitat e ligjit.

Delegacioni i BE-së në Tiranë do të vazhdojë angazhimin e tij për të forcuar rolin e parlamentit si një institucion që promovon dhe mishëron dialogun e hapur dhe gjithëpërfshirës politik. Ne besojmë se të gjitha partitë politike të Shqipërisë dhe të gjithë sektorët e shoqërisë do të jenë në gjendje dhe të gatshëm të luajnë rolin e tyre në kontributin drejt përparimit të Shqipërisë për përmbushjen e kërkesave të anëtarësimit në BE”, thuhet në reagim.