Falë një fitoreje 3-1 kundër Çelsit, Bajerni i Mynihut ruajti ecurinë e pastër pas ndeshjes së gjashtë zyrtare në sezonin 2025/26. Dhe ata ishin veçanërisht të kënaqur me mënyrën se si shkoi. Vinsent Kompani u shfaq i qetë, edhe pse aspak euforik.

“E dinim që shumë gjëra duhej të shkonin mirë për të fituar sot. Djemtë e kryen misionin e tyre, por treguan edhe entuziazëm për lojën. Përqendrimi ynë ishte shumë i mirë. Ishte një paraqitje shumë solide,” shpjegoi trajneri i Bajernit pas kësaj fitoreje prestigjioze.

Edhe lojtarët, si Konrad Laimer, ishin të kënaqur. Fakti që fitorja erdhi kundër kampionëve të rinj të Botës për Klube e bëri akoma më të veçantë: “U mbrojtëm me përqendrim dhe treguam atë që kemi luajtur prej një viti kundër një kundërshtari të tillë,” tha austriaku.

“Me intensitet mund të zgjidhësh shumë probleme, dhe këtë e treguam sot. Është kënaqësi të luash futboll me këtë ekip,” vazhdoi veterani.

Kompani veçoi sidomos lojën me presing, duke e shpjeguar këtë me golin që bëri rezultatin 2-0, i cili erdhi direkt nga një gabim i Çelsit i shkaktuar nga ndërhyrja e hershme: “Ne duam të bëjmë presing sepse duam të shënojmë gola, jo thjesht për të marrë topin. Kjo ka ndodhur shtatë ose tetë herë që nga faza përgatitore,” tha belgu i lumtur. Herri Kejn, i cili shënoi dy nga tre golat e Bajernit, ndau një ndjenjë të ngjashme.

“Kjo ishte një paraqitje e nivelit të lartë kundër një kundërshtari të fortë, kampionëve të botës për klube.” Në pjesën e parë, sipas tij, gjithçka kishte shkuar mirë, por “fatkeqësisht, e pësuam golin pak shpejt,” tha anglezi.

Pastaj erdhi pjesa e dytë: “E nisëm fort pas pushimit, krijuam raste. Ky është drejtimi ku duam të shkojmë. Posedimi ishte i rëndësishëm, po ashtu edhe mbështetja ndaj njëri-tjetrit. Ishte një ndeshje e fortë, fizike, por jam mjaft i kënaqur,” shtoi Kejn. Përveç Kejn, edhe Majkëll Olise dha një tjetër paraqitje të fortë. Trajneri e sheh 23-vjeçarin në rrugën drejt të bërit një lojtar vërtet i madh. “Lojtarët si Majkëll thjesht e kanë këtë talent. Sezonin e kaluar, ndoshta nuk ishte ende një lojtar i madh sepse ishte viti i tij i parë. Por për tu bërë një lojtar i madh, ai duhet ta përsërisë këtë për shumë vite. Dhe këtë vit, po e bën nën presion. Deri tani po ia del. Pra, është në rrugën e duhur.”