Orët luksoze të reperit Mozzik kanë qenë kryetemë e diskutimeve gjatë 24 orëve të fundit. Ai ka blerë një Richard Mille dhe një Rolex.

Fillimisht u raportua se vetëm ora Richard Mille kushtonte dy milionë dollarë.

Por, si shpesh ndodh në këto raste, çështja nuk mbeti thjesht në doganë. Në rrjetet sociale shpërtheu një debat i madh, ku pati reagime dhe aludime të shumta.

Ndër më të zëshmit ishte Noizy, i cili me tone ironike publikoi një “skenar imagjinar” mbi blerjen e një ore me vlerë milionëshe dhe “harresën” për ta marrë atë nga dyqani – një thumbim i qartë mbi origjinalitetin e orëve të Mozzik.

Megjithatë, situatën e qartëson vetë Dogana e Kosovës. Në komunikatën e saj zyrtare thuhet se bëhet fjalë për një Richard Mille dhe një Rolex, me vlerë totale 1.340.027,50 euro.

Në njoftim theksohet se, “duke qenë se shmangia nga obligimet doganore kapte shumën mbi 5.000 euro, konform legjislacionit në fuqi është njoftuar Prokurori Kujdestar i Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Me këtë rast, është urdhëruar ndalimi i përkohshëm i mallrave dhe intervistimi i personit të dyshuar.”