Në konferencën e sotme “Shqipëria 2030: në Europë, e ndërlidhur me botën”, një pikëtakim i rëndësishëm i shërbimit të jashtëm për të përcaktuar prioritetet, adresuar sfidat kryesore dhe për të forcuar shërbimin konsullor për qytetarët shqiptarë – mori pjesë edhe kryeministri Rama, i cili në fjalën drejtuar të pranishmëve tha se Konferenca tradicionale e ambasadorëve këtë vit vjen në një moment historik për rrugëtimin e Shqipërisë drejt majës së shumë ëndërruar të Bashkimit Europian dhe se të gjitha forcat e shërbimit diplomatik shqiptar nga Brukseli e në çdo kryeqytet tjetër duhet të fokusohen në radhë të parë te ky objektiv historik.
“Kjo konferencë zhvillohet në një moment kur kreditet e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare janë më të larta se asnjëherë dhe kur profili i Shqipërisë si një vend në ngjitje, si një realitet në zhvillim, si një partner i besueshëm në rajon, në të gjitha tryezat ndërkombëtare, është absolutisht një aset, i cili duhet shfrytëzuar në funksion të Shqipërisë 2030 dhe më tutje.” – u shpreh Kryeministri.
Teksa përcaktoi si domosdoshmëri që shërbimi diplomatik të jetë një pikë referimi për talentet e reja, vajza dhe djem, që kanë dije dhe kanë ambicie për t’i shërbyer Shqipërisë dhe rritur kapacitetet, kryeministri theksoi se ngritja e Akademisë Diplomatike bazuar në modelet më të mira europiane, si dhe reformimi i kuadrit normativ të shërbimit të jashtëm, janë hapat në vijim.
“Ngritja e Akademisë Diplomatike sipas modeleve më të mira evropiane është një hap shumë i nevojshëm i domosdoshëm, i cili më në fund po hidhet, ndërkohë që i domosdoshëm është edhe reformimi i gjithë kuadrit normativ të shërbimit të jashtëm për të rritur profesionalizmin, për të garantuar edukimin në vazhdim të të gjithë trupës dhe përmirësimin e sistematik të burimeve njerëzore. Një draft për këtë reformim është gati dhe së shpejti në Kuvendin e Shqipërisë, ne do të miratojmë të gjithë kuadrin e ri që do t’i mundësojë Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme të jetë më pranë dhe më efektive në përmbushjen e nevojave të përfaqësive tona.” – u shpreh Kryeministri.