Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA i ka kushtuar një seancë të veçantë diplomates së njohur Yuri Kim, e cila pas gati tre dekadash karriere në shërbim të diplomacisë amerikane, ka dalë në pension.

Kongresmeni James C. Moylan nga Guam, vendlindja e Kim, e përshkroi atë si një shembull të integritetit, guximit dhe përkushtimit. “Ajo ka qenë mentore, model dhe shërbyese publike e palëkundur që ka dhënë gjithçka çdo ditë. Trashëgimia e saj nuk është vetëm në politikën e jashtme, por edhe tek njerëzit që ka frymëzuar dhe urat që ka ndërtuar,” – u shpreh Moylan.

Karriera e Yuri Kim përfshiu poste kyçe në ambasadat amerikane në Turqi, Irak, Japoni dhe Kinë, si dhe rol udhëheqës në politikën ndaj Koresë së Veriut. Ajo shërbeu si asistente speciale e ish-sekretarit të Shtetit Colin Powell, duke qenë një nga figurat kryesore në negociatat gjashtëpalëshe për ndalimin e programit bërthamor të Koresë së Veriut.

Në vitin 2019, Kim u emërua ambasadore e SHBA-së në Shqipëri, ku forcoi partneritetin me vendin tonë duke avancuar interesat e përbashkëta dhe nxitjen e rritjes ekonomike. Së fundmi, ajo mbajti postin e Zëvendëssekretares Kryesore të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, duke qenë pjesë e vendimmarrjes në sfidat më të ndërlikuara globale.

“Ne e falënderojmë dhe e nderojmë Yuri Kim, duke i uruar vetëm lumturi dhe përmbushje në këtë kapitull të ri të jetës,” përfundoi kongresmeni Moylan.